2008-05-29 18:48:18

Benedikti XVI në audiencën me ipeshkvijtë italianë, uron: Dialogu i qetë e i frytshëm ndërmjet forcave më të shëndosha të vendit, e ndihmoftë Italinë të dalë nga periudha e vështirë.


(29.05.2008 RV)Duke shfrytëzuar energjitë më të mira, që burojnë nga historia e saj e madhe e krishterë, Italia mund të dalë nga kjo periudhë e vështirë: këtë nënvizoi Benedikti XVI në fjalimin e pasionuar, drejtuar sot paradite ipeshkvijve italianë, të cilët i priti në audiencë në Sallën e Sinodit, me rastin e asamblesë së 58-të të përgjithshme të KII. Papa preku posaçërisht disa nga temat e mëdha, si edukimi i breznive të reja, mbrojtja e njerëzve të ligshtë, promovimi i jetës e i familjes.
Duke vënë theksin mbi kontributin e ipeshkvijve në këtë çast të historisë së Italisë, Papa shprehu mendimin se ata mund të japin një kontribut të shquar për progresin e harmoninë, duke shfrytëzuar ato energji e ato nxitje që burojnë nga historia e madhe e krishterë e këtij vendi. Por Benedikti XVI nuk u kufizua vetëm në sintezën e problemeve të sotme të shoqërisë italiane. Vizioni i Kryebariut të Kishës katolike është shumë më i gjërë: pushton mbarë botën e, në botë, mbarë njerëzit që vuajnë e kanë nevojë për solidaritet, vëllazërim, shpresë. Prandaj – theksoi Ati i Shenjtë:
“Nuk mund t’i mbyllim sytë e as ta ulim zërin, kur është fjala për varfërinë, shqetësimet e padrejtësitë shoqërore, nga të cilat vuan një pjesë e mirë e njerëzimit, gjë që kërkon impenjimin bujar të të gjithëve. E ky impenjim duhet të përfshijë edhe njerëzit të cilët, ndonëse të panjohur, kanë nevojë për ne”.
Benedikti XVI e përfundoi fjalimin duke shprehur kënaqësinë e tij për rolin e mjeteve katolike të komunikimit që, në diskutimin publik, interpretojnë instancat e shqetësimet e Kishës në mënyrë të lirë e të pavarur, por pa harruar të marrin pjesë në shqetësimet e përgjithshme të shoqërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.