2008-05-28 18:52:46

Ndihma e Kishës për popullsinë e Mianmarit, viktimë e ciklonit Nargis


(28.05.2008 RV)RealAudioMP3 Në Mianmar, pavarësisht se junta ushtarake ka pranuar ndihmat ndërkombëtare, pakot me ushqime, ilaçe e veshmbathje nuk mbërrijnë popullsinë e goditur nga cikloni Nargis. Janë ndihmuar më pak se gjysma e 2 milion e 500 mijë të shpërngulurve. Zona të tëra, si Delta e lumit Irrauadi, janë të paarritshme. Llogaritet që cikloni të ketë shkaktuar 130 mijë viktima. Të dëgjojmë si impenjohet Kisha katolike, përmes fjalëve të ipeshkvit të Pateinit, imzot Xhon Hsane Hgjyi:
Bashkësia ndërkombëtare ka dërguar shumë ndihma. Por ne, si Kishë, nuk kemi pritur ndërkombëtarët. Seminaristë, rregulltarë e katekistë kanë organizuar grupe dhe kanë shkuar në zonat e goditura për të shpëtuar njerëzit e për t’u çuar atyre ushqime. Për shembull, në dioqezën time, ashtu si në dioqezat e tjera, sapo kaloi cikloni, dërguam barka me ushqime, ilaçe e veshmbathje dhe celularë për t’u dhënë mundësi komunikimi të shpërngulurve. Kemi organizuar edhe kampe ku po ndihmojmë njerëzit dhe po ato ndihma u dërgojmë edhe atyre që kanë mbetur nëpër fshatra.
Cilat janë nevojat më të mëdha?
Ndihmat e emergjencës në këtë moment, janë ushqimet, çadrat, asistenca shëndetësore dhe veshmbathjet. Pastaj, do të jetë e nevojshme ndihma për rindërtimin. Para se të vija në Romë, në vizitë ad Limina, i thashë komitetit të dioqezës së duhet të gjejmë pajisje për bujqësinë dhe fara për të filluar mbjelljen. Sezoni i shirave përfundoi e pas disa muajsh nuk mund të mbjellim më asgjë. Ky është momenti, por në vend nuk ka fara.







All the contents on this site are copyrighted ©.