2008-05-28 18:56:09

Kongregata për Institutet e jetës rregulltare boton një Udhëzim mbi shërbimin e autoriteteve dhe bindjen.


(28.05.2008 RV)“Shërbimi i autoriteteve dhe bindja” – titullohet Udhëzimi i Kongregatës për Institutet e jetës rregulltare dhe Shoqëritë e jetës apostolike, botuar sot nga dikasteri i Vatikanit. Udhëzimi u paraqit para asamblesë së eprorëve dhe eproreve të përgjithshme, pranë Universitetit Salesianum, në Romë.
Dokumenti, me pesëdhjetë faqe, nënvizon se rrënja e bindjes duhet gjetur në kërkimin e Hyjit e të vullnetit të tij, të cilit i nënshtrohet çdo besimtar. Prandaj të gjithë janë të thirrur t’i binden autoriteteve, duke pasur mirë parasysh se bindja e krishterë nuk është thjeshtë zbatim i ligjeve e i udhëzimeve kishtare e rregulltare, por një çast tepër i rëndësishëm i kërkimit të Hyjit, që mund të gjindet, duke dëgjuar Fjalën e tij, duke fituar vetëdijen e planit të dashurisë së tij e të përvojës së Krishtit, që u bind, për dashuri, deri në vdekjen mbi kryq.
“Autoriteti në jetën rregulltare” duhet kuptuar si shërbim ndaj bashkësisë, që vullneti i Zotit të kërkohet e të realizohet bashkërisht.
Teksti përballon edhe temën delikate të ‘bindjes së vështirë’, dmth të rasteve kur ajo që i kërkohet rregulltarit a rregulltares, është e vështirë të realizohet, ose rasteve kur ai që duhet të bindet, mendon se mund të bëjë gjëra më të mira e më të dobishme për shpirtin e tij, sesa ato që urdhëron eprori. Në këto raste kujtohet “Krishti, që e mësoi bindjen, duke pësuar mundimet”.
Por bindja nuk duhet të jetë pasive, as zbatim pa përgjegjësi i urdhërave. Ajo duhet kuptuar gjithnjë si pranim i vetëdijshëm i impenjimeve, duke i parë si zbatim konkret të vullnetit të Zotit.
Ndërsa roli i autoriteteve paraqitet si ‘ndërmjetësi njerëzore’ e vullnetit të Zotit. Por – sqarohet - kjo nuk do të thotë se vullneti i Zotit përkon përsosurisht e automatikisht me vullnetin e Hyjit: është vetëm një mjet që, si çdo gjë njerëzore, ka kufizimet e gabimet e veta. Megjithatë kujtohet se, kur rregulltari merr një urdhër të ligjshëm, Zoti i kërkon t’i bindet autoritetit që e përfaqëson në atë çast.
Autoriteteve u kërkohet të ecin gjithnjë në rrugën e dialogut e të bashkimit, pavarësisht nga larmitë, dhe t’i trajtojnë gjithnjë mirësisht njerëzit që u janë besuar, duke krijuar atmosferën e bindjes vëllazërore, larg çdo përdhune.







All the contents on this site are copyrighted ©.