2008-05-28 18:55:52

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, kushtuar Gregorit të Madh: “Zoti është burimi i vërtetë i shpresës dhe i paqes”.


(28.05.2008 RV)RealAudioMP3 “Papë i madh e Dijetar i madh i Kishës”: kështu e kujtoi Benedikti XVI Shën Gregorin e Madh, ipeshkëv i Romës ndërmjet viteve 590 e 604, të cilit i kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme. Para mijëra besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë nënvizoi posaçërisht aktualitetin e mësimeve të Shën Gregorit, papë guximtar e i urtë, paqëtues i shpirtërave, ngushëllues i varfanjakëve, bari i besimtarëve. Njeri që ishte bërë një me Zotin, e pikërisht për këtë arsye, ishte gjithnjë pranë njeriut, pranë të gjithë nevojtarëve të kohës së vet”. Kështu e sintetizoi Papa figurën e jashtëzakonshme të paraardhësit të tij, Gregorit të Madh, njeriut që – sipas Benediktit XVI - kishte etje të pashuar për praninë e Hyjit, të cilin e ndjente deri në thelb të shpirtit. Më pas Benedikti XVI vuri theksin mbi aktualitetin e shembullit të Shën Gregorit:
“Në një kohë tepër të vështirë, madje të dëshpëruar, diti të sjellë paqe e të japë shpresë. Ky njeri i Hyjit na tregon se ku mund të gjinden burimet e vërteta të paqes, na mëson prej nga vjen shpresa e vërtetë, prandaj mund të themi me plot gojën se edhe sot e kësaj dite mbetet prijës për ne”.
Gregori – vijoi të kujtonte Papa – lindi në Romë rreth vitit 540, në gjirin e një familjeje patrice të Aniçies, që shquhej për lidhjen e ngushtë me fenë dhe për shërbimet që i bënte Selisë Apostolike. Edukatën e parë të krishterë e mori nga prindërit e tij shembullorë, Jordani e Silvia, që të dy të nderuar si shenjtorë. Gregori – shpjegoi Papa – nisi karrierën administrative dhe shumë shpejt arriti të bëhej prefekt i qytetit të Romës. U mor me probleme administrative të të gjitha llojeve, që do ta ndihmonin shumë për të kryer detyrat e së ardhmes. Nga kjo përvojë, fitoi një ndjenjë të thellë rregulli e disipline:
Kur u bë papë, i këshilloi ipeshkvijtë të merrnin si model, në drejtimin e punëve kishtare, pikërisht funksionarët civilë, plot zell e respekt ndaj ligjeve”.
Por duhet thënë se një jetë e tillë nuk e kënaqte fare. Prandaj vendosi të hiqte dorë prej saj e të bëhej murg. Kaloi kështu një periudhë të qetë, duke iu kushtuar plotësisht njohjes së thellë të Shkrimit Shenjt, me të cilin do të mbetej gjithnjë i lidhur me njëmijë fije, të dukshme e të padukshme. Qe për të kohë e lumtur e takimit me Hyjin, e lutjes, e zhytjes së plotë në studim. Por as jeta murgare e Gregorit nuk zgjati shumë, sepse Papa Pelagji e emëroi ambasador në Kostandinopojë, për t’i dhënë fund grindjeve monofizite e sidomos, për të siguruar mbështetjen e perandorit në përpjekjen për frenimin e presionit të longobardëve. Por pas disa vjetësh u thirr rishtas në Romë. U kthye, në sa qyteti kalonte kohë të tmerrshme, i sulmuar së pari nga uria e më pas edhe nga murtaja. Vdekja endej lirisht udhëve të Romës, duke lënë pas qindra kufoma njerëzish të të gjitha moshave, ndërmjet të cilave, edhe Papa Pelagji II. Kleri e populli e zgjodhën njëzëri Gregorin si pasardhës të tij. Ai nuk deshi ta pranonte këtë detyrë kaq impenjative, madje deshi të ikte, por më në fund u dorëzua. Ishte viti 590. Papa i ri iu vu menjëherë, plot zell, punës:
“Që në fillim u pa qartë se ai e njihte mirë realitetin, në të cilin duhet të punonte, se kishte aftësi të jashtëzakonshme për të përballuar si çështjet kishtare, ashtu edhe ato civile. E jo më pak, edhe drejtpeshim të përhershëm në marrjen e vendimeve të guximshme, që ia impononte detyra”.
Nga papnia e Gregorit të Madh - shpjegoi Benedikti XVI – na ka mbetur një pasuri e tërë dokumentesh, falë Regjistrit të Letrave, në të cilin pasqyrohen të gjitha problemet të ndërlikuara të përditshme, që prisnin zgjidhje në tryezën e tij të punës. E problemi më i ngutshëm në Romën e Italinë e asokohshme, ishte çështja longobarde, së cilës Gregori i kushtoi gjithë energjitë e veta. Papa Gregori i Madh – theksoi Benedikti XVI – ishte njeri i madh i paqes.
Në ndryshim nga perandori bizantin, që mendonte se longobardët s’ishin tjetër, veçse një turmë me njerëz të pagdhendur e grabitçarë, të cilët duheshin shpartalluar e shfarosur, ai i shikonte me sytë e bariut të mirë, që dëshironte t’ua kumtonte dhe atyre fjalën e shëlbimit, duke lidhur me ta, marrëdhënie vëllazërore”.
Falë aftësive prej diplomati të urtë, Papa Gregori arriti të merrej vesh me mbretin longobard Agjilulfin, duke siguruar armëpushimin e qëndrueshëm. Ky rezultat kaq pozitiv, u arrit edhe në sajë të lidhjeve të tij me mbretëreshën Teodolina, bavareze e katolike. Kjo ngjarje shënoi një kapitull të rëndësishëm, që flet për rolin e grave në Kishë. Përkrah përpjekjeve për sigurimin e paqes dhe për ungjillëzimin e longobardëve – vijoi Papa – Gregori qe edhe protagonist aktiv i një veprimtarie të gjithanshme shoqërore: ngushëlloi nevojtarët, ndihmoi rregulltarët, pagoi shuma të mëdha për çlirimin e romakëve të zënë rob nga longobardët:
Përveç kësaj, zhvilloi, si në Romë, ashtu edhe në të gjithë Italinë, një veprimtari të shquar administrative, duke dhënë udhëzime të sakta që pasuritë e Kishës, të nevojshme për jetesën dhe për veprimtarinë e tij ungjillëzuese në botë, të mbarështoheshin me ndershmëri abosolute, me drejtësi e mëshirë”.
Gjithë këtë veprimtari, Gregori e zhvilloi pa e marrë fare parasysh se ishte shëndetlig, prandaj shpesh, për shkak të zërit të dobët, homelitë e tij i shqiptonte një diakon.
“Lavdi Zotit, sot kemi mikrofonin!” vërejti më pas Papa, i cili gjatë përshëndetjeve, në përfundim të audiencës, kujtoi posaçërisht Mësueset e Përshpirtshme Filipini, të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, duke i nxitur të përballojnë emergjencën edukative në qytetin e Romës, që është zemra e krishterimit. Më pas kujtoi edhe se maji po i afrohet fundit, prandaj iu lut Zojës të na ndihmojë për të shtegtuar plot gëzim e shpresë drejt Atdheut të amshuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.