2008-05-27 16:57:26

Kryeipeshkvi i Kirkukut: “Të krishterët në Irak, gjithnjë më të harruar e më të izoluar”.


(27.05.2008 RV)“Të krishterët irakianë ndjehen të izoluar e të harruar përballë heshtjes së madhe të bashkësisë ndërkombëtare, e edhe të vetë Kishës, duke përjashtuar Papën e disa ipeshkvij evropianë. Kërkoj nga Kishat e Perëndimit të na ngushëllojnë, duke na ndihmuar konkretisht të mos largohemi nga vendi ynë”. Është thirrja e fuqishme e Imzot Lyi Sako, kryeipeshkëv i Kirkukut në Irak, i cili të shtunën e ardhshme, më 31 maj, do të jetë në Milano për të marrë çmimin “Defensor Fidei”, promovuar nga ‘Fondacioni Fides et Ratio’ dhe nga e përmuajshmja ‘Il Timone’.Duke e komentuar lajmin në agjensinë SIR, Kryeipeshkvi, pasi theksoi se e ndjen veten shumë të nderuar për këtë çmim, denoncoi ekstremistët etnikë e fetarë, politikën, që zakonisht shikon më shumë interesat e veta dhe garën e armatimeve. Duke folur për persekutimin e të krishterëve, imzot Sako kujtoi se ata e kanë mbrojtur gjithnjë tërësinë tokësore të vendit, krah për krah me vëllezërit myslimanë. Për fat të keq - shtoi prelati – kohët e fundit janë vënë në shenjestër për shkaqe thjeshtë fetare: përdhunohen, grabiten, kërcënohen, vriten, mërgojnë. Ky qëndrim i bie ndesh traditës së popullit irakian dhe vlerave të islamit. Një Irak pa të krishterë do të ishte katastrofë për të gjithë!







All the contents on this site are copyrighted ©.