2008-05-26 17:07:33

Papa në Engjëllin e Tënzot i lutet Zojës t’i ndihmojë dëshmitarët e fesë në Kinë dhe nxit bashkësinë ndërkombëtare të thellojë përpjekjet kundër urisë.


(26.05.2008 RV)RealAudioMP3 Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa uroi që festa e Korpit të Krishtit, që kremtohej dje në Itali e në shumë vende të tjera, t’i nxisë të krishterët të tregohen më të vëmendshëm ndaj vëllezërve, sidomos ndaj atyre që janë më të varfër. Ndërmjet shuplakave që godasin botën, Ati i Shenjtë vuri theksin mbi dramën e urisë, problem të cilin bashkësia ndërkombëtare mundohet shumë për ta zgjidhë. Benedikti XVI iu lut Marisë, Ndihma e të krishterëve, Zojës së Sheshanit, t’i mbështesë dëshmitë e fesë të të krishterëve në Kinë.
“Ju përshëndes me gjithë zemër!”. Me këto fjalë të ngrohta, në gjuhën kineze, Papa iu drejtua shtegtarëve të ardhur në Romë nga e gjithë Italia, me rastin e Ditës botërore të lutjes për Kishën në Kinë, që u kremtua të shtunën e kaluar, në ditën e kujtimit liturgjik të Zojës Ndihmëtare. Shtegtarëve kinezë Papa iu drejtua me këto fjalë:
“Së bashku me ju, i lutem Marisë, Ndihma e të krishterëve, Zojës sonë të Sheshanit, t’i ndihmojë të gjithë ata që në Kinë, në mundimin e përditshëm, vijojnë të besojnë, të shpresojnë e të duan, të mos të kenë kurrë më frikë t’i flasin botës për Jezusin e Jezusit për botën, duke mbetur gjithnjë dëshmitarë të besueshëm të kësaj dashurie e të bashkuar me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha”.
Ati i Shenjtë ia besoj dashurisë së Zotit të mëshirshëm edhe të gjithë ata që vdiqën këto ditë për shkak të tërmetit, i cili dëmtoi rëndë një zonë shumë të gjërë të Kinës:
“Përsëris se jam personalisht pranë të gjithë atyre që po jetojnë orë plot ankth e tronditje. Uroj që, falë solidaritetit vëllazëror të të gjithëve, popullsitë e kësaj zone të kthehen sa më shpejt në jetën e përditshme normale”.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se dje kremtohej solemniteti i Korpit e i Gjakut të Krishtit, që në Vatikan e në disa vende të tjera, u kremtua të enjten e kaluar. “Eshtë festa e Eukaristisë, dhuratë e mrekullueshme e Krishtit i cili, në Darkën e Mbrame – pohoi Papa – deshi të na linte kujtimin e Pashkëve të tij, sakramentin e Korpit e të Gjakut të vet, si peng i dashurisë së pakufishme për ne. Eukaristia – shtoi Benedikti XVI – është shkollë e dashurisë dhe e solidaritetit:
“Kush ushqehet me Bukën e Krishtit, nuk mund të qëndrojë indiferent para atij të cilit, në ditët tona, i mungon buka e përditshme. Shumë prindër e sigurojnë me mundime të mëdha, për vete e për fëmijët e tyre. Eshtë problem gjithnjë më i vështirë, që bashkësia ndërkombëtare mundohet shumë për ta zgjidhur”.
Kur Jezusi nisi t’u predikonte turmave – shpjegoi Papa – u tregoi se Ati e kishte dërguar në botë si ‘bukë e gjallë e zbritur nga qielli’, si ‘bukë e jetës’:
Kisha jo vetëm lutet “na e jep sot bukën tonë të përditshme’, por sipas shembullit të Zotit të vet, përpiqet me të gjitha mënyrat ‘t’i shumëzojë pesë bukët e dy peshqit’ me nisma të panumërta në ndihmë të zhvillimit njerëzor e të ndarjes së përbashkët, që askujt të mos i mungojnë gjërat e nevojshme për jetesën”.
Në përfundim Papa përshëndeti grupet e ndryshme të shtegtarëve si dhe ata që, me rastin e Ditës italiane të lehtësimit të dhimbjes, ishin mbledhur pranë Poliklinikës Gjemeli, për t’u shprehur solidaritetin njerëzve me sëmundje të pashërueshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.