(25.05.2008 RV)Sot Kisha katolike
kremtoi solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit. U përkujtuan edhe Shën
Gregori VII papë, Shën Beda i nderuar, meshtar benediktin, dijetar i Kishës dhe Shën
Maria Madalena de Paci, virgjër.
Figura e djaloshit të pasur, që e takojmë
përsëri në liturgjinë e së hënës, i shtyu në shekuj shumë njerëz të ndërrojnë
rrugë e të ecin me gjithë zemër pas Krishtit. Sytë e Zotit na ndjekin në çdo hap.
Na kërkojnë të dalim nga kurthi i egoizmit e të pushtojmë horizontin e pamasë të dashurisë
së tij. Këtë na kujtojnë Shën Filip Neri, meshtar, themelues i Kongregatës së Priftërinjve
të Oratorit, Shën Eleuteri papë dhe Shën Dimetri, martirë në ditën e festës së tyre.
Të braktisësh çdo gjë! Këtë rrugë zgjodhën apostujt për të ndjekur Krishtin.
Duhet kujtuar, veç, se atij që ecën në këtë rrugë, Zoti nuk harron kurrë t’i japë
çmimin e amshuar. Për këtë meditim na fton, të martën, festa e Shën Agostinit,
kryeipeshkëv i Kanterbërit.
Shën Gjermani, ipeshkëv i Parisit dhe Shën Vili,
që do të kremtohen të mërkurën, na kujtojnë çastin kur Jezusi u flet të Dymbëdhjetëve
për mundimet e tij. Por ata nuk arrijnë ta kuptojnë mesazhin, që ua beson Mësuesi.
Vetëm ai që bëhet shërbëtor i të gjithëve, mund të ushtrojë shërbimin e jashtëzakomshëm
të prijësit të grigjës së Zotit.
Të enjten do të kremtohet Shën Ursula
Ledohovska, themeluese e Orsolineve të Zemrës së Krishtit. Në liturgjinë e festës
takohemi me Bartimeun që kishte lindur i verbër. Duke e shëruar, Krishti na kujton
se njeriu që jeton me fe të gjallë, mund ta ndjejë forcën e saj shëruese si në shpirt,
ashtu edhe në trup.
“Përpiqu të duash, ashtu si do Jezusi, zemërbutë e i
përvujtë”: ky mesazh buron nga solemniteti i Zemrës së Shenjtnueshme të Jezu Krishtit,
që do të kremtohet të premten.
Të shtunën është festa e Zemrës
së Zojës dhe e Pasisë të së Lumes Mari Virgjër. Zoja e Bekuar shkon të vizitojë Elizabetën.
Nuk shkon për të kaluar kohën. Bën një udhëtim të vërtetë apostolik, gjatë të cilit
kumton Fjalën që i tha Engjëlli dhe këndon mrekullitë e Zotit në jetën e saj. Është
dita e fundit e majit, kushtuar Zojës së Bekuar, që kremtohet në të gjitha Kishat
katolike të botës.
Të dielën e ardhshme Kisha rifillon Liturgjinë e
Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke kremtuar të dielën IX të kësaj kohe.