2008-05-24 12:55:57

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit


(24.5.2008 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit.
Festa e Korpit të Krishtit është mister i pakapshëm për mendjen njerëzore që nuk ndirçohet nga feja, që nuk frymëzohet e gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin, në të cilin Krishti na la gjithë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe është konsideruar gjithnjë si më i shenjti ndër sakramente.
I Shenjtueshmi Sakrament, kujtesë e gjallë e flijimit të Krishtit Shëlbues, themeluar atë të Enjte të cilën e quajmë të Shenjtë e të Madhe, kur Shpëtimtari i njerëzimit, Jezusi kremtoi Pashkët e tij të fundit me apostujt e vet: ishte Darka e Mbrame, përmbushje e darkës së Pashkëve hebraike dhe përurim i ritit eukaristik.
Pra, në Euakristinë Shenjte, Jezusi vëretetë e dhuron Korpin e Gjakun e tij, bëhet Bukë e gjallë, ushqim i pashterrshëm e i domosdoshëm për të gjithë shekujt. Eukaristia, themeluar nga Jezu Krishti në Darkën e Mbrame me apsotujt, është Sakramenti intim, familjar, prandaj në Kishën e lashtë, kur jepej kungimi, shqiptoheshin fjalët: “sancta sanctis – dhuratë shenjte për shenjtorët”.
Kështu, “secili më parë të shqyrtojë mirë vetveten e pastaj të hajë nga kjo bukë e të pijë nga ky kelk!” që janë shenjë e dorëzimit të jetës e të historisë së Krishtit në shenjën e bukës e të vërës eukaristike, në mënyrë që besimtarët të mund të hyjnë në lidhje e bashkimin intime me të. Pra Eukaristia është forcë që shkon përtej mureve të Kishave tona, sepse në këtë sakrament vet Zoti është gjithnjë bërë nëpër udhët e njerëzimit e të botës për shëlbimin e amshuar. Për këte Fjala e Zotit e kësaj feste na thërret të bëhemi rrugë e Krishtit që përshkon botën me dritën e Tij Jetëdhënëse. Në Bukën Eukaristike ne bashkohemi shpirtërisht me Krishtin, e lejojmë veten të depërtohemi, të përshkohemi nga Ai që është Zot, Krijues e Shëlbues. Kështu jeta jonë njerëzore shkrihet me të Jetën e Tij hyjnore. Ne shndërrohemi në jetën e Tij, që është dashuri e gjallë. Në këtë mënyrë Adhurimi Eukaristik bëhet pjesë e domosdoshme për t’u bashkuar përherë e më tepër me Krishtin Zot.
Kjo festë na flet me një gjuhë të mbinatyrshme, të vështirë për mendjen tonë njerëzore, e cila mbetet si e mundur nga misteri. Prandaj për t’i zbuluar thellësitë mahnitëse të pranisë së Krishtit në trajten e bukës e të vërës, duhet pasur fe të gjallë, apo më mirë lypet feja e gjallëruar nga dashuria. Vetëm kush beson e kush dashuron, mund të kuptojë paksa nga ky mister i pagabueshëm i fesë së krishterë, falë të cilit Zoti bëhet i afërt me vogëlsinë tonë njerëzore, e do lumturinë tonë, na tregon se Ai është dashuria e pakufishme që dhuron jetën e pavdekshme.
“ Ky është Korpi im, ky është Gjaku im”: këto fjalë i dëgjojmë çdo herë që kremtojmë Meshën Shenjte, Eukaristinë, do të thotë përkujtimin e Besëlidhjes së Re e të Amshuar që Zoti ka vendosur me njerëzimin nëpër Birin e vet Jezu Krishtin, për shëlbimin (shpëtimin) e mbarë botës.
Prandaj në misterin e shenjtë të Korpit e të Gjakut të Jezus Krishtit, Zoti i jep njerëzimit dhuratën e jetës, dhuratën e bashkimit dhe të paqes. Në Sakramentin e Eukaristisëm që është burimi e kulmi i çdo shenjtërie, i çdo fuqie shpirtërore, besimtarët e adhurojnë Zotin, e shpallin ladvinë e Tij të përjetshme dhe ushqehen në gurrën e përjetësisë....këtu mund ti dëgjoni leximet biblike e homelinë...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.