365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(24.05.2008 RV)24 maj: Shpikja e shtypshkrimit dhe fillimi i botimit të
librave të krishterë me shumicë. Françesku, çiraku i tipografit, arrin në tregtore,
për të filluar ditën e parë të punës. Në këmbë, pranë mjeshtrit që do t’i mësojë zanatin,
e shikon kur punon, si të ishte ndonjë magjistar. Në këtë kohë, aty nga vitit 1470,
shtypshkrimi në Paris është një teknikë krejt e re, ndonëse Gutembergu e shpiku që
më 1436, në Gjermani, këtë mjet, që revolucionarizoi kulturën. Françesku e di se
tipografi prodhon dhjetra libra sa çelë e mbyllë sytë, e megjithatë i duket diçka
gati e pamundur. Tipografi merr letrat prej metali nga një arkëz me të ndara dhe
i radhit shkathtësisht njëra-pranë-tjetrës mbi një pllakë, për të formuar frazat.
Pllaka është aq e madhe, sa mbi të shtrihen faqe të tëra të një libri. E ja edhe çasti
magjik... Françesku mban frymën: mjeshtri merr bojën dhe e përhapë mbi gërmat. Pastaj
vë sipër kartën. E ja që bëhet mrekullia: para syve të tyre dalin një sërë faqesh
të shtypura. Mjeshtri merr një fletë tjetër, një tjetër akoma e edhe një tjetër. Kështu
për pesëqind herë, sepse libri duhet shtypur në pesëqind kopje. Françesku e shikon
gjysëm i mahnitur e gjysëm i zhgënjyer. Sigurisht që puna kryhet një mijë herë më
shpejt, sesa kur libri kopjohet me dorë, siç bëhej më parë, gjë që kërkonte muaj e
muaj vetëm për një kopje. Por rezultati nuk është aq i bukur, sa ai i librit të kopjuar
me dorë! Nganjëherë boja hapet pak e… ka edhe më…. Çiraku njofton mjeshtrin. “Djalosh,
ndoshta vërtetë libri nuk është aq i bukur, por sigurisht ka më pak gabime se ato
që gjinden në dorëshkrimet e rikopjuara nga një murg i çkujdesur, ose i lodhur. E
pastaj shtohet edhe numri i lexuesve!”. Po Françeskun e tremb edhe nga sasia e
librave, që prodhohen. Nuk është edhe aq i bindur se tipografi do t’i shesë të gjitha
kopjet e grumbulluara në tregtore. Mjeshtri qesh. “Françesk, mjaftojnë vetëm tri
ditë, për t’i shitur të gjithë. Librat shiten si buka, si simitet e vala, që sapo
kanë dalë nga furra e një bukëpjekësi të mirë. Kushtojnë tepër pak, në krahasim me
dorëshkrimet e kopjuara me pupël: të gjithë parizianët, që dinë të lexojnë, vrapojnë
për t’i blerë. Duhet pranuar se ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët, na ndihmojnë
shumë. Kisha është klienti ynë më i rëndësishëm, sepse ka më shumë njerëz të mësuar,
që dëshirojnë t’i pasurojnë bibliotekat e tyre. Pa Kishën, sigurisht që shtypshkrimi
nuk do ta kishte gjithë këtë sukses. Në se nuk do të ishte Kisha, Françesku im i dashur,
tani do të ishte duke mësuar zanatin në dyqanin e ndonjë kasapi, ose të ndonjë këpucari.