2008-05-24 18:42:20

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(25.05.2008 RV)RealAudioMP3 25 maj: Në kërkim të autorit të veprës “Ndjekja e Jezu Krishtit”. Antoni mbyll librin. I prekur thellë, shikon titullin: ‘Ndjekja e Jezu Krishtit’. Në të vërtetë kjo vepër jep shumë këshilla për ta ndjekur Krishtin.
“Ç’ideal i ndritur!”, thotë me vete Antoni. “Jeta e Jezu Krishtit është modeli më i bukur e, në se e ndjekim, mund të bëhemi të krishterë të vërtetë e njerëz të lumtur. Sa do të dëshiroja ta njihja autorin kësaj vepre të mrekullueshme!” Por mbi kapakun e librit nuk shkruhet emri i autorit. “Si mund t’i bëhet për ta gjetur? Ndoshta ka vdekur prej kohe” – ankohet, gjithnjë me vete, Antoni.
Në se është kështu, durim! Antoni vendos të bëhet hetues e ta zbulojë shkrimtarin e panjohur. I nis kërkimet në qytetin e tij të lindjes, Bryges, në Belgjikë. Disa javë më pas, gjen një adresë tepër të nevojshme. Në ‘Ndjekjen e Krishtit’, autori flet për një libër të shkruar aty nga viti 1411. Kjo tregon se Vepra duhet të jetë shkruar para kësaj date. Antoni e ndjen vetën të lehtësuar: ka shumë mundësi që autori të jetë ende gjallë. Jemi në vititn 1469!
Tani mbetet për t’u zbuluar nga ç’vend është autori. Fakti që libri është shkruar në gjuhën latine, gjuhë e përdorur në mbarë Evropën, nuk e lehtëson kërkimin. Por, për fat, Antoni takon një meshtar plak, shumë të ditur, që e çon në udhë të drejtë, duke i treguar se disa fraza të librit, tingëllojnë si të përkthyera nga gjuha holandishte, në atë latine. Antoni ndjehet i lum e niset vrik për në Evropën veriore, ku flitet holandishtja. Pyet ku mundet e kë mundet, posaçërisht tipografët. E, më në fund, një ditë, pas dy vjet kërkimesh, durimi i tij shpërblehet. Takon një tipograf, që ka parë një libër, mbi të cilin qe shkruar emri i autorit. Njeriu misterioz është Tomaz Kempis, një frat që jeton në kuvendin e Shën Anjezes, në Utreht. Është mjeshtër i novicëve, dmth merret me të rinjtë, që hyjnë në kuvend, të cilët i mëson të jetojnë si rregulltarë, të luten e .. të ndjekin Krishtin, për të qenë të lum!
“Është plak?” pyet Antoni, ndërsa zemra i rreh aq, sa i duket se do t’i dalë nga kraharori.“Po, djalosh”, përgjigjet tipografi, “duhet të nxitosh, në se dëshiron ta njohësh para se të vdesë”.
Antoni nuk pret t’ia përsërisin dy herë. Takimi me Tomazin ia ndryshon plotësisht jetën. I mrekulluar nga urtia e këtij frati, vendos të rrijë përgjithmonë në kuvend. Tomazi vdes disa muaj më pas. Por këshillat e tij nuk vdesin kurrë. Mbeten një thesar i çmuar, që Antoni e shumë e shumë të tjerë pas tij, do ta ruajnë për gjithë jetën!







All the contents on this site are copyrighted ©.