2008-05-23 10:50:32

Papa në Solemnitetin e Korpit të Krishtit: “Gjunjëzimi para Eukaristisë, është besojma e lirisë”.


(22.05.2008 RV)Pasdite, ne ora 19. 00, Benedikti XVI kryesoi, në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, funksionin solemn liturgjik, në bashkëkremtim me kardinaj, ipeshkvij e meshtarë, ndërmjet të cilëve edhe meshtarët e rinj të shuguruar kohët e fundit në Qytetin e Amshuar.
Sivjet ishin të pranishëm edhe prelatët e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, që vijojnë vizitën ‘Ad Limina’, së bashku me përfaqësuesit e besimtarëve, ardhur në Romë me këtë rast.
Kështu nga Pashkët tek Ngjitja e Krishtit në qiell, nga Rrëshajët tek e Shenjtnueshmja Trini e deri në Solemnitetin e sotëm të Corpus Domini, që në Itali e vende të tjera të botës së krishterë, përfshirë Shqipërinë, do të kremtohet të dielën e ardhshme (duke u krijuar të gjithë besimtarëve mundësitë për të ndjekur meshët e procesionet tradicionale) Kisha çdo vit e udhëheq të pagëzuarin nga një mister tek tjetri, në mënyrë që gjatë kohës së zakonshme të mos e harrojë për asnjë çast burimin e cakun e jetës së tij të krishterë.
Solemniteti i Korpit e të Gjakut të Krishtit është takim i rëndësishëm feje për çdo bashkësi të krishterë. Festa lindi në rrethana të caktuara historike e kulturore me qëllim që populli i Zotit ta ripohonte haptazi besimin e vet në Jezu Krishtin e gjallë e vërtetë të pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Është, pra, festë e themeluar për ta adhuruar, për ta lumnuar e për ta falënderuar publikisht Zotin i cili, në Sakramentin eukaristik, vijon të na dojë deri në fund të fundit, deri në dhurimin e korpit e të gjakut të vet (Sacramentum caritatis, 1).
Kremtimi eukaristik i solemnitetit rikrijon atmosferën shpirtërore të së Enjtes së Madhe, na çon në Çenakull, ku Krishti themeloi Eukaristinë. Corpus Domini është rikthim në misterin e së Enjtes së Madhe, gati-gati si të donim t’i bindeshim ftesës së Jezusit për ta predikuar nga pullazet, atë që ai na e ka thënë në vesh”(cfr. Mt. 10,27). Apostujt e morën dhuratën e Eukaristisë në intimitetin e Darkës së Mbrame, por kjo darkë nuk u shtrua vetëm për ta. Rreth asaj sofre ishin të ftuar të gjithë njerëzit e botës, ftesë që e nxit Kishën ta nxjerrë vazhdimisht Sakramentin jashtë, në mënyrë që çdo njeri të mund ta takojë Jezusin, i cili kalon sot nëpër rrugët tona, ashtu si kalonte nëpër rrugët e Galilesë, të Samarisë e të Judesë e që gjithkush, duke e marrë në zemër, të shërohet e të përtrihet nga forca e dashurisë së tij. Kjo është trashëgimia e përhershme dhe e gjallë që na la Krishti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të tij, trashëgimi që duhet rimenduar e rijetuar vazhdimisht me qëllim që, siç pati thënë Papa Pali VI, “Të vulosë me forcën e vet të pashterrshme, të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme” (Mësime, V[1967], fq. 779).
Gjatë homelisë, Benedikti XVI kujtoi se pas 40 ditëve të Krezhmëve dhe 50 ditëve të Kohës së Pashkëve, liturgjia kremton tri festa me karakter sintetik: Trininë Shenjte, Korpin e Krishtit dhe, së fundi, Zemrën e Krishtit. Më pas u përqendrua tek kuptimi i solemnitetit të Korpit të Krishtit, i cili na kujton se të krishterët duhet të mblidhen nga të katër anët, për t’u gjunjëzuar në praninë e të vetmit Zot e për t’u bërë një gjë e vetme me Të.
Në sa duke kujtuar domethënien e procesionit të sotëm, Benedikti XVI shpjegoi që një kremtim i tillë na mëson se Eukaristia dëshiron të na çlirojë nga çdo ligështi, të na ngrejë përsëri në këmbë, sa herë që rrëzohemi, për ta rifilluar rrugën me forcën që Hyji na jep përmes Jezu Krishtit.
“Por - theksoi Papa – nuk mjafton të ecësh përpara, duhet shikuar mirë edhe ku po shkon. Nuk mjafton ‘progresi’, në se nuk ka asnjë kriter referimi. Madje, në se dredhon rrugë, rrezikon të biesh në greminë, ose të largohesh me shpejtësi nga caku. Zoti na krijoi të lirë, por nuk na la vetëm: u bë Ai vetë rrugë e erdhi të ecë së bashku me ne, që duke qenë të lirë, të kemi edhe mundësinë për të zgjedhur rrugën e drejtë”.
Ta adhurosh Hyjin e Jezu Krishtit, që u bë bukë e thyer për dashuri, është ilaçi më i mirë kundër të gjitha idhujtarive të djeshme e të sotme. Gjunjëzimi para Eukaristisë, është besojma e lirisë: kush përkulet para Jezu Krishtit, nuk mund e nuk duhet të përkulet para asnjë pushteti tokësor, sado i fuqishëm të jetë.
“Ne, të krishterët, gjunjëzohemi vetëm para të Shenjtnueshmit Sakrament, sepse në të është i pranishëm i vetmi Zot i vërtetë, që krijoi botën dhe e desh aq, sa t’i dhurojë Birin e tij të vetëm. Përkulemi para një Zoti, që u përkul i pari mbi njeriun e munduar, si Samaritani i Mirë” – tha në vijim Papa. Në përfundim, Benedikti XVI u kujtoi gjithë të krishterëve se ta adhurosh Korpin e Krishtit, do të thotë të besosh se aty, në atë copëz buke, është i pranishëm vetë Jezusi, që i jep kuptimin e vërtetë jetës: si universit të pafundmë, ashtu edhe krijesës më të vogël; si mbarë historisë njerëzore, ashtu edhe jetës më të shkurtër. Eukaristia e ushqen shpirtin me dashuri, me vërtetësi, me paqe, me shpresë, sepse Krishti, para të cilit gjunjëzohemi, nuk na gjykon, nuk na shkel, por na çliron e na shndërron!

Në sa ne po transmetojmë, Mesha dhe procesioni eukaristik, që u përshkua nëpër rrugën Merulana, për të arritur në këmbë tek një bazilikë tjetër madhështore, ajo e Shën Marisë së Madhe, kanë përfunduar Korteu i të devoçmëve përbëhej nga besimtarë të ardhur nga të katër anët e botës katolike. Ndërmjet tyre: skautë, anëtarë të Shoqërive të përshpirtshme, fëmijë të cilët sapo kanë marrë Kungimin e parë, Kalorës të Varrit të Shenjtë e sa e sa të tjerë, natyrisht pa kujtuar këtu njerëz të Kishës të të gjitha rangjeve e gradave: që nga rregulltarët e rregulltaret, tek famullitarët, nga priftërinjtë tek kardinajtë e Kuries Romake. E, siç e kujtuam më lart, procesionin e ndoqën edhe besimtarët shqiptarë, të kryesuar nga ipeshkvijtë e tyre.
Besimtarët u nisën, duke u lutur e duke kënduar himne, drejt bazilikës së Shën Marisë së Madhe, për të shprehur simbolikisht se të gjithë jemi shtegtarë drejt Atdheut qiellor. Nuk jemi vetëm në këtë shtegtim: me ne është Jezusi, buka e jetës: buka e engjëjve, buka e shtegtarëve. Krishti na ushqen shpresat e na ndihmon në këtë shtegtim drej qiellit, drejt Kishës qiellore.







All the contents on this site are copyrighted ©.