2008-05-23 19:26:03

Papa ipeshkvijve të Shqipërisë: "Pas natës së errët të komunizmit, Kisha rilindi"


(23.05.2008 RV)Pas natës së errët të diktaturës komuniste, Kisha në Shqipëri lindi falë impenjimit të Papës Gjon Pali II. Këtë deshi të kujtojë sot paradite Benedikti XVI duke u folur ipeshkvijve shqiptarë në vizitë “ad Limina Apostolorum”, të cilët i priti në audiencë në Vatikan në orën 11.00.
“Të gjithë e njohin trashëgiminë e trishtuar të lënë në Shqipëri nga regjimi i kaluar diktatorial, i cili e pati shpallur ateizmin si ideologji të shtetit – theksoi Papa Racinger. Është e qartë se një orientim i tillë antidemokratik i marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve ju ka lënë një detyrë jo të lehtë, duke filluar nga plani njerëzor: atë të rizbuloni një gramatikë të përbashkët, që të mbështesë sërish ndërtesën e shoqërisë”.
“Por ju – shtoi – pasardhës të apostujve, jeni të thirrur sidomos të jeni dëshmitarë të një trashëgimie tjetër, veçanërisht të dobishme e konstruktive: asaj të mesazhit të shpëtimit sjellë nga Krishti në botë. Në atë kuptim, pas natës së errët të dikaturës komuniste, e paaftë ta kuptojë popullin shqiptar në traditat e tij të lashta, Kisha mundi të lindë për hir të Provanisë Hyjnore, falë edhe forcës apostolike të Paraardhësit tim të nderuar, Shërbëtorit të Zotit, Gjon Pali II, i cili ju bëri një vizitë në vitin 1993, duke rithemeluar në mënyrë të qëndrueshme Hjerarkinë katolike, për të mirën e besimtarëve dhe të krejt popullit shqiptar”.
“Një nga aktet e para të Papës së madh – vazhdoi të kujtonte Benedikti XVI – ishte njohja e heronjve të fesë: kujtoj këtu, në veçanti, dëshminë e shkëlqyer të kardinal Koliqit, korife i një shpure të ngjeshur martirësh. Rikrijimi i hjerarkisë katolike ishte njohja e drejtë e bashkimit intim, që lidh popullin tuaj me Krishtin dhe kontribuoi në zgjerimin e hapësirës së forcave të reja të katolicizmit në tokën e Shqipërisë. Ju jeni rojtarët e kësaj lidhjeje, dhe ju takon sidomos juve detyra për ta nxitur me veprime e inciativa këtë unitet, që duhet të shfaqë misterin bazë dhe jetëdhënës të Korpit të vetëm të Krishtit, në bashkim me ministerin e Pasardhësit të Pjetrit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.