2008-05-23 10:31:36

Ndal përdorimit të fëmijëve ushtarë, rreth 250 mijë në të gjithë botën


(22.05.2008 RV)RealAudioMP3 Vlerësimet flasin për 250 mijë fëmijë ushtarë në botë, por mund të jenë edhe më shumë. Bilanci i bërë nga një grup organizatash jo qeveritare tregon një përmirësim të lehtë të situatës për shkak të përfundimit të disa konflikteve, por alarmi mbetet. Në të paktën 24 vende të botës, denoncojnë organizatat, fëmijët përdoren për luftë e jo vetëm nga guerriljet, por edhe nga ushtria e rregullt. Veçanërisht dramatike është situata e vajzave të rrëmbyera dhe të përdorura si në linjën e parë të frontit ashtu edhe në prapavija, shpesh të shfrytëzuara seksualisht. Na përshkruan gjendjen Foska Nomis, zëdhënëse e koalicionit italian “Ndal përdorimit të fëmijëve ushtarë”:
Që kur kemi bërë të ditur raportin global mbi fëmijët ushtarë, katër vjet më parë, janë bërë sigurisht hapa përpara. Është rritur numri i vendeve që kanë ratifikuar Protokollin opcional, i cili pengon përdorimin e të miturve nën 18 vjeç si ushtarë. 120 vende e kanë ratifikuar këtë Protokoll dhe ata përbëjnë rreth tre të katërtat e botës.
Si mund të integrohen në shoqëri fëmijët që kanë qenë ushtarë? Cila është puna e bërë në këtë drejtim?
Programet “Çarmatim, çmobilizim, reintegrim” janë themelore, sepse kanë krijuar një urë ndërmjet jetës në ushtri e në grupet e armatosura dhe jetës së re, të themi “normale”. Fatkeqësisht, këto programe nuk financohen aq sa duhet nga bashkësia ndërkombëtare e sidomos, kanë nevojë për kohë. U lejojnë edhe vajzave të vogla të ndryshojnë jetë. 40% e fëmijëve ushtarë janë vajza e shpesh kanë vështirësi më të mëdha për të marrë pjesë në këto programe, pasi nuk konsiderohen si ushtare, por si shoqet e jetës, gratë e luftëtarëve të një grupi.
Cilat janë zonat e konfliktit që paraqesin një gjendje më të vështirë përsa i përket fëmijëve ushtarë?
Sigurisht na shqetësojnë shumë konfliktet në vazhdim në vendet afrikane, në veçanti në Ugandë; pavarësisht se ka filluar procesi i paqes, fëmijët ushtarë janë të pranishëm edhe në Republikën Qendroafrikane, në Çad, në Sudan, por edhe në kontinente të tjera: në Kolumbi, në Amerikën e Jugut ku konflikti është i brendshëm. Ka shumë fëmijë ushtarë në grupin kolumbian Fark ose edhe më tej, në Azi, në Sri Lankë për shembull. Azia është një zonë ku fëmijët ushtarë janë me moshë të vogël, 12 vjeç, si në Birmani.







All the contents on this site are copyrighted ©.