2008-05-23 18:29:02

Benedikti XVI ipeshkvijve të Shqipërisë: Të bashkuar për të përballuar më mirë sfidat e vendit tuaj


(23.05.2008 RV)RealAudioMP3 Ipeshkvijtë e Shqipërisë u pritën sot në audiencë nga Papa Benedikti XVI në Vatikan, në kuadrin e vizitës së tyre “ad Limina Apostolorum”, që ka filluar ditën e hënë e do të përfundojë të dielën me shtegtimin në Gjenacan, te Zoja e Këshillit të Mirë. Të jeni të bashkuar në planin shpirtëror e baritor për të kontribuar në rindërtimin e Kishës dhe të indit shoqëror të një vendi, mbi të cilin rëndon akoma përvoja e errët e diktaturës komuniste. Kjo është këshilla, që u la Ati i Shenjtë ipeshkvijve.
Çështja e problemeve dhe e vështirësive me të cilat i duhet të përballohet Kishës në Shqipëri pa dyshim, nuk i shpëtoi Papës. Për këtë arësye, Benedikti XVI tha se dëshiron një Kishë të bashkuar në shpirt e në qëllime; një Kishë që ta ndihmojë me të vërtetë Atdheun e Shqipeve të hedhë pas krahëve të kaluarën e gjatë të asgjësimit shpirtëror të shoqërisë, përveç atij fizik kishtar. “E njohim të gjithë tashmë trashëgiminë e trishtuar që i la Shqipërisë regjimi i kaluar diktatorial, i cili e pati shpallur ateizmim si ideologji të Shtetit – theksoi Papa Racinger. Është e qartë se një orientim i tillë antidemokratik i marrëdhënive ndërmjet qytetarëve, ju la trashëgim vështirësi jo të pakta në planin njerëzor e ju ngarkon me detyrën për të zbuluar një gramatikë të përbashkët, që mund ta mbështesë përsëri ndërtesën e shoqërisë. Por ipeshkvijtë, pasardhës të Apostujve, janë të thirrur për të dëshmuar edhe diçka tjetër:
“…jeni të thirrur të jeni, mbi të gjitha, dëshmitarë të një trashëgimie tjetër, mirëbërëse e ndërtimtare: asaj të mesazhit të shëlbimit që solli Krishti në botë. Në këtë kuptim, pas natës së errët të diktaturës komuniste, e cila nuk qe e aftë ta kuptonte popullin shqiptar e traditat e tij stërgjyshore, Kisha mundi të rilindë për virtyt të Provanisë hyjnore, falë edhe forcës apostolike të Paraardhësit tim të nderuar, Shërbëtorit të Hyjit, Gjon Palit II, që erdhi mes jush për vizitë në vitin 1993, duke rindërtuar hjerarkinë e qëndrueshme katolike, për të mirën e besimtarëve dhe për dobinë e popullit shqiptar”.
Prandaj, vazhdoi Benedikti XVI, Kisha shqiptare e shekullit të 21-të ka nevojë për mirëkuptim brenda saj. U takon ipeshkvijve, tha Papa, “detyra për ta nxitur me veprime e inciativa këtë unitet, që duhet të shfaqë misterin bazë dhe jetëdhënës të Korpit të vetëm të Krishtit, në bashkim me ministerin e Pasardhësit të Pjetrit”. E problemeve konkrete u bëhet ballë vetëm në qoftë se ipeshkvijtë, si një grup i bashkuar, ndajnë mes tyre përgjegjësitë:
“Vetëm bashkëpunimi i përzemërt e vëllazëror ndërmjet Barinjve, mund t’i sjellë dobi të madhe popullit të dashur shqiptar, si në planin shoqëror, ashtu edhe në atë ekumenik e ndërfetar. Prandaj, të nderuar Sivëllezër, duhet të jeni një gjë e vetme në Krishtin në shpalljen e Ungjillit e në kremtimin e Mistereve hyjnore; shpreheni bashkimin me Kishën universale me vëllazërim të thellë e të vërtetë ipeshkvnor”.
Papa nuk la pa përmendur edhe fushat në të cilat është veçanërisht e pranishme Kisha në Shqipëri, si shkolla e shëndetësia. E duke reflektuar mbi emigracionin shqiptar drejt Evropës e botës, Ati i Shenjtë falenderoi për punën e meshtarëve shqiptarë me bashkatdhetarët e tyre jashtë shtetit:
“I njoh vështirësitë, që kanë të bëjnë me mungesën e klerit. Jam në dijeni edhe se shumë meshtarë, ndonëse punojnë në kushte të vështira, i ndihmojnë pa kursim besimtarët katolikë me origjinë shqiptare në dhe të huaj. Kjo ju nderon, të dashur Sivëllezër, që tregoni kujdes, sipas zemrës së Krishtit, për jetën shpirtërore të njerëzve tuaj edhe jashtë kufijve të Atdheut. E kjo nderon edhe meshtarët, që ndajnë me ju shqetësimet baritore”.
Papa Benedikti XVI e përfundoi fjalimin e tij duke i nxitur ipeshkvijtë të kujdesen për meshtarët e për thirrjet e reja. Gjithashtu Ati i Shenjtë i përgëzoi për marrëveshjet e nënshkruara kohët e fundit me autoritetet e Shqipërisë: “Besoj – tha në fund Papa – se masa të tilla do t’i bëjnë mirë rindërtimit shpirtëror të vendit, duke pasur parasysh rolin pozitiv të Kishës në shoqëri”.
Në emër të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e përshëndeti Papën Benedikti XVI, kryetari, imzot Rrok Mirdita. Kjo vizitë është për ne e veçantë – tha imzot Mirdita – për tri arësye: së pari, është takimi i parë i ipeshkvijve me Papën, së dyti është vizita e parë në të cilën janë të pranishëm të gjithë ipeshkvijtë e Shqipërisë dhe së treti, sepse këtë vit bie 15 vjetori i vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri e pra, edhe i krijimit të hjerarkisë katolike të pas komunizmit. Është pikërisht e Papës Vojtila, nisma e njohjes së martirizimit të Kishës katolike në Evropën Lindore. Në sajë të impenjimit të tij, edhe në Shqipëri ka filluar tashmë që nga 10 nëntori i vitit 2002 procesi i lumnimit të 40 martirëve të parë, shumica e të cilëve janë persekutuar gjatë diktaturës së egër komuniste.
Duke përmendur shprehjen e famshme të Tertuliantit, imzot Mirdita theksoi se vërtetë gjaku i martirëve është bërë farë krishterimi në Shqipëri:
“I jemi tepër mirënjohës Zotit, që na ka dhënë kënaqësi të mëdha. Jemi mirënjohës, në radhë të parë, për misionarët që, me flijime e bujari të madhe, pranuan sfidën misionare në Shqipëri, gjatë këtyre tetëmbëdhjetë vjetëve pas rënies së komunizmit. E, mbi të gjitha, i shprehim mirënjohjen tonë të pakufishme Zotit, që na i bekoi përpjekjet me thirrje të reja meshtarake e rregulltare në vendin tonë”.
Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e falenderoi Papën për enciklikat “Deus Caritas Est” dhe “Spe Salvi”, të cilat kanë qenë baza reflektimi për domethënien e bamirësisë dhe të shpresës ndër besimtarët shqiptarë. Gjithashtu, imzot Rrok Mirdita i shprehu mirënjohjen Benediktit XVI për vitin paolin, që fillon në qershor, duke kujtuar se Shën Pali është veçanërisht i lidhur me historinë e krishterimit në Shqipëri.
Nesër, ipeshkvijtë do të vazhdojnë takimet e tyre personale me Papën Racinger, pas takimit publik të sotëm, e të dielën do të jenë në Gjenacan për shtegtimin e shqiptarëve te Zoja e Këshillit të Mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.