2008-05-22 18:17:59

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(22.05.2008 RV)22 maj: Biblioteka e Vatikanit: fe e dije krah për krah.
Papa Nikolla V mbyll, tejet i kënaqur, dorëshkrimin që mbante deri atë çast në dorë. Sigurisht që ky Timoteo Mafei ka një talent të jashtëzakonshëm për të shkruar! I përgjigjet në mënyrë shterruese kërkesës së tij. Në të vërtetë, duke shkruar traktatin ‘Contro la santa ignoranza’(Kundër shenjtes padije), eprori i kanonikëve rregulltarë të Fiezoles, përsërit besnikërisht mendimin e vetë papës: Jo, dija e feja nuk i bien ndesh njëra-tjetrës. Njeriu që i do librat e kënaqet duke i lexuar, nuk është në kundërshtim me fenë, përkundrazi! E këtë e provon vetë papa Nikolla V. Me zgjedhjen e tij, në fronin e Shën Pjetrit u ul një njeri i dashuruar me Hyjin e me kulturën.Tani Nikolla V rri në një fron pranë shkritores së tij në Bibliotekën e Vatikanit, ku sodit me kënaqësi të thellë raftet, që e rrethojnë. I pëlqen shumë të rrijë këtu për të lexuar librat që vijnë nga Evropa e nga Lindja, ose thjeshtë, për të reflektuar. Kjo Bibliotekë me qindra libra, është pa dyshim kryevepra e jetës së tij. Nikolla V, që ëndërronte ta bënte Romën qendër intelektuale të krishtërimit… ia ka arritur plotësisht qëllimit. Sigurisht iu deshën përpjekje jo të pakta, sepse në këtë botë asgjë e bukur dhe e ndershme nuk mund të realizohet pa shumë mundim. Raftet e Vatikanit janë mbushur plot, por a mund të shuhet me kaq etja e njeriut që s’ngopet kurrë me diturinë? Dëshira për ta pasuruar më tej Bibliotekën, e shtyn të dërgojë në të katër anët e botës njerëzit e tij, për të kërkuar e për të sjellë në Vatikan dorëshkrime të çmuara. Interesohet, në radhë të parë, për veprat e mendimtarëve të mëdhenj të Lindjes; të Greqisë së lashtë, sidomos. Nikolla V i blen dorëshkrimet, porosit të rikopjohen e pastaj edhe të përkthehen, për t’i përdorur të gjithë ata, të cilët dinë latinisht. Falë veprimtarisë së tij, dorëshkrimet e brishta, që mund të ktheheshin në hi e pluhur, shpëtojnë e bëhen pronë e njerëzimit. Shumë shpejt në Bibliotekën e Vatikanit numri i dorëshkrimeve e kalon shifrën një mijë. Shumica janë vepra me karakter teologjik, por ka edhe traktate shkencore e humanistike. Natyrisht, gjithë kjo pasuri tërheq intelektualët më në zë të Italisë e të mbarë Evropës. Papa rrethohet nga njerëz të mësuar, që kanë privilegjin të përkthejnë shkrimet e shenjtorëve e të autorëve të lashtësisë. Roma pushtohet nga frymëzimi i thellë intelektual. Por Nikolla V nuk e harron kurrë se kjo vepër, që merr formë dalë-nga-dalë para syve të tij është, sidomos, në shërbim të Kishës. Të gjitha tekstet, që ruhen në Bibliotekën e Vatikanit, janë aty për lavdi të krishtërimit, për ta bërë të shkëlqejë e të rritet para syve të mbarë botës!







All the contents on this site are copyrighted ©.