2008-05-21 18:35:15

Arrihet marrëveshja për zgjidhjen e krizës së Libanit


(21.05.2008 RV)RealAudioMP3 Krerët politikë libanezë, të mbledhur në Doha të Katarit arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund krizës në vend. Brenda 24 orësh, komandati i ushtrisë libaneze, Mishel Sulejman do të zgjidhet president i republikës. Një rezultat i rëndësishëm ky, pas muajsh boshllëku institucional dhe krizës, që po e çonte Vendin e Kedrave drejt luftës civile. Por sa mund të konsiderohet në të mirë të Libanit? Përgjigjet Antonio Ferrari, i dërguari i veçantë i gazetës italiane “Corriere della Sera” e njohës i thellë i politikës së Lindjes së Mesme:
Marrëveshja parashikon emërimin e presidentit të Republikës – dimë se kjo detyrë nuk mbulohet që nga fundi i nëntorit. Por, problemi vjen në hapin e dytë: në qeverinë e re do të marrin pjesë 30 ministra, 16 të mazhorancës pro-perëndimore të kryeministrit Fuad Siniora, 11 të opozitës së udhëhequr nga Hezbollahët dhe tre të emëruar nga presidenti i Republikës. Duhet parë se cilat ministri do t’i kalojnë njërës apo tjetrës palë. Por hapi i tretë, ai më alarmuesi, është se opozita do të ketë të drejtën e vetos. Kjo do të thotë që mazhoranca mund të qeverisë vetëm me konsensusin e opozitës, prandaj mund të themi se fitimtari i vërtetë i këtij kompromisi është lëvizja Hezbollah e natyrisht përkrahësit e saj Siria dhe Irani. Libani do të jetë në paqe, por do të humbë diçka nga sovraniteti i vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.