2008-05-20 18:30:35

Kisha katolike në Kinë, në vijën e parë të frontit të ndihmave, lutet për viktimat e tërmetit.


(20.05.2008 RV)Kisha katolike kineze, e cila është në vijën kryesore të frontit, që nga çasti i parë pas tërmetit, kremton meshë, organizon thënien kolektive të rruzares, lutje, nëntëditëshe për shpirtin e viktimave të tërmetit të Ven Çuanit, në bashkim me të gjithë vendin, në sa kalon këto tri ditë zije kombëtare për mijëra njerëz që humbën jetën nën gërmadha. Këmbanat e të gjitha kishave bien mënjanë, në shenjë zije, në sa lexohet Lutja e Papës kushtuar Zojës së She Shanit.
Sipas rregulltareve të kongregatave të ndryshme dioqezane kineze, që vijojnë punën në zonat më të dëmtuara nga tërmeti, gjendja është tepër e vështirë. Rregulltaret tregojnë se janë ndarë në gjashtë grupe, të cilat punojnë për dizinfektimin e zonës. Janë të veshura, si zakonisht, me veshjet e tyre rregulltare, me Kryqin në kraharor, që u jep forcë e guxim, në një zonë ku, duke ndihmuar viktimat, mund të shndërrohesh vetë në viktima të kësaj ngjarje me përmasa të papërshkrueshme. Njerëzit - tregon motra Zhai Zhing Ai – na shikojnë e na pyesin kush jemi e, kur e marrin vesh, na kërkojnë kryqe e Bibla. Duan të afrohen tek feja, për të gjetur ngushëllim. Madje njerëzit janë mësuar pak nga pak të na thërresin ‘Xiu Nv’ – dmth motra, duke na shprehur kështu, mirënjohjen e përzemërsinë. Rregulltaret pohojnë edhe se thirrja e Papës në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, u dha forcë e guxim, duke i nxitur të jenë, më shumë se kurrë, tharm i bashkëjetesës së harmonishme në gjirin e mbarë shoqërisë kineze, ashtu si i mëson Ati i Shenjtë. Gjatë meshëve të së dielës së kaluar u mblodhën edhe ndihma konkrete në para.
Zemra e katolikëve kinezë është ngrohur, duke e ndjerë se nuk janë vetëm në këtë tragjedi të tmerrshme, se kanë pranë gjithë Kishën universale e, sidomos, Papën!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.