2008-05-20 18:30:59

Imzot Elio Sgreçia: ligji britanik, që lejon krijimin e embrioneve hibride njeri-kafshë është i lemerishëm për moralin dhe krijon rrezikun e prodhimit të përbindshave.


(20.05.2008 RV)Parlamenti britanik i hapi rrugën krijimit të embrioneve hibride njeri-kafshë. “Një goditje e përbindshme kundër të drejtave të njeriut, kundër dinjiteit të personit e kundër jetës” - kështu e komenton ngjarjen kardinali Keith O’Brien. Mbi bazë të ligjit të ri, që ka të bëjë me fertilitetin, për të cilin pritet miratimi përfundimtar, shkencëtarët mund të mbartin bërthamat e qelizave njerëzore në vezoret shtazore, nga të cilat është hequr ADN-ja, për të arritur në krijimin e qelizave staminale embrionale, që mund të përdoren për kërkime shkencore. Lajm tronditës për të ardhmen e farës njerëzore, siç nënvizon ipeshkvi Elio Sgreçia, kryetar i Akademisë Papnore për Jetën, në mikrofonin e Radios sonë:

Pyetje: - Shkëlqesi, ç’ duhet të na frikësojë më shumë në këtë shkallmim të kufijve nga ana e shkencës?

Përgjigje: - Mbi të gjitha, duhet të theksojmë dy probleme të rënda të tipit etik, që shënojnë një nga nivelet më të ulta të etiticitetit në fushën e bioetikës. Në radhë të parë, bashkohet, përmes klonimit, bërthama e qelizës njerëzore, që fekondon një vezore shtazore. Ky bashkim bëhet për të pëllenuar, është përpjekje për të krijuar embrione, përmes elementit mashkullor, që është bërthama, dhe elementit femëror, që është vezorja, njëra e njeriut, tjera e kafshës. Tani mund të themi se kjo fyen rëndë dinjitetin e Njeriut, është përpjekje për të përzjerë farë të ndryshme, deri tani e ndaluar nga të gjitha ligjet mbi lindjen artificiale. Bashkimi njeri-kafshë, ndonëse jo seksual, është një nga tmerret, që morali nuk ka mundur kurrë t’i pranojë.

Pyetje: - Po cila janë rreziqet reale? E dimë se ligji urdhëron që embrionet të shkatërrohen brenda 14 ditëve…

Përgjjigje: - Në se do të lejohej që këto embrione të vijonin zhvillimin, do të bëheshim dëshmitarë të hatave e të sëmundjeve të tmerrshme. Sa herë është shembur muri njeri-kafshë, pasojat kanë qenë tepër të rënda, edhe kur një gjë e tillë është bërë në mënyrë të pavullnetshme. Krijohen, kështu, shumë të panjohura, në sa hamendjet për vlerën e këtyre embrioneve në mjekimin e sëmundjeve si Parkinsoni e Alzhaimeri, nuk kanë asnjë bazë shkencore.







All the contents on this site are copyrighted ©.