2008-05-19 18:51:03

Çdo të thotë vizitë “ad Limina Apostolorum”


Me termin vizitë “ad Limina apostolorum” kuptohet vizita që bëjnë çdo pesë vjet në Vatikan, ipeshkvijtë e të gjithë botës. Ata i shpjegojnë Papës veçoritë që e dallojnë dioqezën e tyre nga pikëpamja fetare, shoqërore e kulturore, vënë në dukje problemet më të rëndësishme nga pikpamja baritore e kulturore e mënyrën se si ndërhyn Kisha e atij vendi në zgjidhjen e këtyre problemeve.
Por cila është historia e vizitave ad Limina apostulorum?
Vizita e parë ad Limina përmendet në letrën e Shën Palit drejtuar Galatasve:
“E vetëm pas tri vjetësh shkova në Jeruzalem për t’u njoftuar me Kefën e ndenja te ai pesëmbëdhjetë ditë (Gal 1, 18)”.
Gjatë kësaj vizite, shën Pali pati mundësinë të fliste me shën Pjetrin dhe me shën Jakun për vështirësitë e hasura në ungjillëzimin e disa zonave të Judesë. Ky mund të konsiderohet takimi i parë i konfrontimit dhe i ndihmës së anasjelltë për tematika të veçanta.
Përsa i përket termit “vizita ad limina apostolorum”, ai vjen nga shekujt e parë të historisë së Kishës; në fakt në gjuhën kishtare, me “limina apostolorum” kuptohen varret e apostujve Pjetër e Pal e pra, vizitat ad Limina ishin të gjitha shtegtime të besimtarëve, që kishin si qëllim gjunjëzimin në këto varre. I njëjti term u përdor edhe për vizitën që të gjithë ipeshkvijtë duhej të bënin në Romë, sipas vendimit të Koncilit të Romës në vitin 743, kur ishte papë Zakaria.
Me kalimin e kohës kjo praktikë u përdor gjithnjë e më pak, duke marrë sërish hov në vitin 1585, nën papën Siksti V, i cili me kushtetutën Romanus Pontifex të 20 dhjetorit rivendosi rregullin e vizitave të tilla të detyrueshme, duke përcaktuar se duhej të bëheshin çdo tri vjet. Edhe më vonë, Papa Benedikti XIV i rikonfirmoi me anë të kushtetutës Quod sancta të 23 nëntorit 1740.
Në vitin 1909, me dekretin e Kongregatës konçistoriale A remotissima (31 dhjetor), u vendos që vizita ad limina apostulorum të bëhej çdo pesë vjet e madje, për Ipeshkvijtë e selive jashtë Evropës, çdo dhjetë vjet. U vendos gjithashtu që kjo vizitë të kryhej jo vetëm nga ipeshkvijtë, por edhe nga subjektet e barabartë me ta, si prelatët dhe abatët territorialë, administratorët dhe vikarët apostolikë. Në vitin 1975, Kongregata për ipeshkvijtë vendosi norma të reja me anë të dekretit Ad Romanam Ecclesiam të 29 qershorit, duke ripërcaktuar zonat për vizitat, që kryheshin çdo pesë vjet.
Në Kodin e së drejtës kanonike të vitit 1983 vizitat ad limina apostolorum përcaktohen nga dy nene (399 dhe 400):
“Ipeshkvi dioqezan ka për detyrë t’i paraqesë Atit të Shenjtë, çdo pesë vjet, një relacion mbi gjendjen e dioqezës, që i është besuar, sipas formës dhe kohës së caktuar nga Selia Apostolike. (…) Ipeshkvi dioqezan në vitin kur duhet të paraqesë relacionin para Atit të Shenjtë, nëse nuk përcaktohet ndryshe nga Selia Apostolike, duhet të shkojë në Urbe për të nderuar varret e Apostujve Pjetër e Pal dhe për t’u paraqitur para Papës së Romës”.
Domëthënia e vizitave ad limina
Domethënia e vizitave ad Limina jepet në Direktorin e Kongregatës për ipeshkvijtë, botuar në vitin 1988. Ai pohon se vizitat nuk janë “një akt juridiko-administrativ i thjeshtë, që ka të bëjë me plotësimin e një detyrimi ritual, protokollar dhe juridik”. Ato e pasurojnë ministerin e Papës me përvojë nga vendet e ipeshkvijve dhe e ndihmojnë atë në zgjidhjen e problemeve të rënda të Kishës e të botës, që janë të ndryshme, në varësi nga vendi, koha dhe kultura.
Papa Gjon Pali II, duke folur në asamblenë e jashtëzakonshme të ipeshkvijve italianë më 26 shkurt 1986, pat deklaruar se u jep shumë rëndësi vizitave ad limina: “Ato përbëjnë një rast të privilegjuar bashkimi baritor: dialogu baritor me secilin prej jush më lejon të marr pjesë në shqetësimet e shpresat që përjetojnë Kishat e udhëhequra nga ju, gjithnjë duke dëgjuar sugjerimet e Shpirti Shenjt”.
Këto pohime janë përsëritur nga Papa Benedikti XVI, në intervistën që i pat dhënë Radio Vatikanit dhe tri televizioneve gjermane, më 5 gusht 2006, ndërsa përgatitej për udhëtimin e tij apostolik në Gjermani: “Vizitat ad limina, që kanë ekzistuar gjithnjë, vlerësohen tani edhe më shumë, për të folur me të vërtetë me të gjitha instancat e Selisë së Shenjtë e edhe me mua. Unë flas personalisht me çdo ipeshkëv. (…) Në këto biseda, në të cilat qendra dhe periferia takohen në një shkëmbim të vërtetë, përmirësohen marrëdhëniet korrekte të anasjellta në një tension të ekuilibruar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.