Filloi vizita ‘ad Limina’ e ipeshkvijve të Shqipërisë në Vatikan.
(19.05.2008 RV)Filloi sot e do të vijojë deri të shtunën e ardhshme, vizita
‘ad Limina’ e ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë në Vatikan. Ipeshkvijtë vijnë për
vizitë ‘tek Varret e Apostujve’ nga një vend në të cilin kohët e fundit në sferën
politike flitet kryesisht për afrimin e shpejtë me Bashkimin Evropian e me Naton,
ndërsa në sferën kishtare, për rilindjen nga hiri i persekutimit komunist, që përfundoi
18 vjet më parë. Krishterimi ndër banorët e trojeve të sotme shqiptare është shumë
i lashtë. Fillon që me kumtimin e parë të Apostujve. Mendohet të ketë qenë vetë Shën
Pali ai që e predikoi fillimisht Ungjillin në trojet ilire, gjatë shtegtimeve të tij
të shumta; e më pas, edhe Shën Andreu. E historia e vërteton këtë, duke na kujtuar
se vetëm 58 vjet pas lindjes së Krishtit, qyteti i Durrësit kishte ipeshkvin e vet,
Shën Qesarin. Në shekullin IV pothuajse i gjithë vendi ishte i krishterë, i organizuar
në 50 seli ipeshkvnore, që shtriheshin në të gjitha trojet e banuara nga një popullsi,
e cila ende nuk quhej shqiptare. Sot në Shqipëri numrohen më se një gjysëm milioni
katolikë, të organizuar në dy kryedioqeza e tri dioqeza, të cilave u duhet shtuar
Administrata Apostolike e Shqipërisë së Jugut. Administrata përfshin besimtarët e
Ritit bizantin, që i përkasin Kishës greko-katolike shqiptare si dhe ata të Ritit
latin. Numri i të krishterëve ortodoksë arrin në 800 mijë. Më i vogël është numri
i protestantëve (80 mijë), ndërsa më shumë se gjysma e 3 milion e 200 mijë banorëve,
janë besimtarë të fesë islame, që u përhap në trojet shqiptare gjatë pushtimit otoman. Historia
më e re flet për 18 vjet jete në liri, duke nisur nga viti 1991 e deri më sot, pas
55 vjet persekutimi e martirizimi. Periudha e parë e këtij persekutimi nis nga vitet
1945-1948, kur fillojnë pushkatimet e njerëzve të fesë e ndërpritet aktiviteti i
të gjitha veprave katolike. Ateizmi i shtetit bëhet ‘fe’ e re në Shqipëri, nga ku
dëbohen të gjithë misionarët e huaj dhe vijon arrestimi, dënimi me burgime të rënda
e me pushkatim i përfaqësuesve më në zë të klerit. Që nga fillimi i viteve ’50, Kisha
katolike zbret në katakombe. Nis për të stina e heshtjes, e veprimtarisë së nëndheshme,
të fshehur, por jashtëzakonisht heroike e frymëzuese për të gjitha breznitë e besimtarëve
katolikë. E kështu deri në shembjen e regjimit komunist. Një lulëzim i ri filloi
me vizitën e Gjon Palit II në Shqipëri, në një ditë të bukur prilli të vitit 1993
(25 prill). Shenjat e këtij lulëzimi u dukën katër vjet para kësaj vizite, me një
ngjarje që fliste për fillimin e kohëve të reja: Nënë Tereza vjen për herë të parë
në Shqipëri: gjunjëzohet tek varret e familjarëve e, sidomos, u kujton të krishterëve
se po vinte koha për ta ngritur përsëri kokën lart e për të shpresuar në ditë më të
mira, dmth më të lira. Vizita ‘ad Limina Apostolurum’ e Konferencës Ipeshkvnore
të Shqipërisë filloi sot me Meshën në elterin e Varrit të Shën Pjetrit, në Bazilikën
kushtuar Princit të Apostujve e vijoi me vizitën në Kongregatën për Edukimin katolik
dhe në Kongregatën për Klerin. Nesër, 20 maj, ipeshkvijtë do të vijojnë
vizitat në Kongregatën për Institutet e Jetës Rregulltare, në Kongregatën për Doktrinën
e Fesë, në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, në Këshillin Papnor të baritorisë për
emigrantët dhe në Këshillin Papnor për Famijen. Ndërkaq po nesër do të fillojnë edhe
takimet me Benediktin XVI, i cili do të presë grupin e parë të ipeshkvijve, (duke
nisur nga kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Angjelo Masafra, së bashku me ipeshkvin
e tij ndihmës, në pension, imzot Zef Simonin, për të vijuar në ditët e mëpasme, takimi
me ipeshkvin e Lezhës, imzot Otavio Vitale; me ipeshkvin e Sapës, Imzot Lucian Avgustini;
ipeshkvin e Rrëshenit, imzot Kristofor Palmieri; administratorin e Shqipërisë së Jugut,
Imzot Hil Kabashi dhe me kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot
Rrok Mirdita, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit). Të mërkurën ipeshkvijtë
do të marrin pjesë në audiencën e përgjithshme të Atit të Shenjtë dhe do të bashkëkremtojnë
Meshën në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve. Të entjen, më 22
maj, do të kenë rastin fatlum ta kremtojnë në Romë Solemnitetin e Korpit e të Gjakut
të Krishtit. Të premten, më 23 maj, do të takohen me Papën, i cili do t’u
drejtojë fjalimin programatik të rastit, pas përshëndetjes nga ana e Kryetarit të
Konferencës Ipeshkvnore, imzot Rrok Mirditës. Do të vijonë vizitat në Kongregatën
për Kultin Hyjnor dhe në Këshillin Papnor për dialogun ndërfetar. Të shtunën,
24 maj, vizitat përfundimtare - në Kongregatën për Ipeshkvijtë dhe në Kongregatën
për Ungjillëzimin e Popujve. Të dielën, takimi me mërgimtarët në Kishën
e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan.