2008-05-18 18:41:49

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(18.05.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi Solemnitetin e Trinisë Shenjte. U përkujtua edhe Shën Gjoni I papë e martir.

Burim i paqes është ligji i Zotit. Gjithçka është e mundur për atë që beson e di të lutet, edhe atëherë kur i duhet të përballojë pasojat e tundimit të të keqit. Këtë meditim, që na e nxit të hënën liturgjia e festës së Shenjtorëve Pjetër Çelestini V papë; Urbani I papë, Parteni e Kallugjeri, martirë; Ivo meshtar, Krispini nga Viterbo, rregulltar kapuçin, duhet ta ketë mirë parasysh çdo nxënës i Krishtit.

Të martën është festa e Shën Bernardinit nga Siena, meshtar françeskan dhe e Shën Aureas, martire e Osties. Me jetën e tyre na sigurojnë se kush shpreson në Zotin, nuk mbetet kurrë i zhgënjyer.

Shën Kristofori Magalanes e shokët e tij, martirë në Meksikës dhe Shën Eugjeni de Mazenod, ipeshkëv i Marsejës, themelues i Oblatëve të Zojës së Papërlyer, që do të kremtohen të mërkurën, na kujtojnë se lumninë e Zotit mund ta shohin edhe ata që nuk bëjnë pjesë në rrethin e nxënësve të afërt të Krishtit. Ai i Lumi u bën thirrje të gjithë njerëzve të marrin pjesë në ndërtimin e Mbretërisë së Hyjit.

Të enjten në Vatikan do të kremtohet Solemniteti i Korpit dhe i Gjakut të Krishtit, e kremte e madhe, të cilën Kishat e tjera, e edhe Kisha në trojet shqiptare, për arsye baritore, do ta kremtojnë të dielën e ardhshme. Është edhe festa e Shën Ritës nga Kashia.

“Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë!” Këtë na kujtojnë, të premten, Shën Gjon Pagëzues de Rosi, meshtar romak dhe Shën Ubaldi, ipeshkëv i Gubios në liturgjinë e festës së tyre.

E shtuna është dita e festës së Zojës ndihmëtare. Kjo e kremte nis të përkujtohet që në kohën e Papës Piu V, në shenjë mirënjohjeje për fitoren e madhe të flotës të koalicionit të botës së krishterë kundër flotës turke më 7 tetor 1571. Në sa flota turke shpartallohej, duke u mënjanuar kështu rreziku i tmerrshëm i shtrirjes së pushtimit otoman mbi vise të tjera të krishtera, Papa pa në vegim se fitorja ishte siguruar me ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar. Prandaj urdhëroi që ndër litani të shtohej edhe thirrja : “Mari, ndihma e të krishterëve, lutu për ne!”. Prej këndej, edhe titulli “Zoja ndihmëtare”.
Një fitore tjetër e madhe, ajo e Vjenës, në vitin 1683, bëri që devocioni i Zojës nën këtë titull, të përhapej në Austri, në Gjermani e në Itali. Piu VII e caktoi festën e Zojës Ndihmëtare më 24 maj.

Të dielën e ardhshme Kisha universale do të kremtojë solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.