2008-05-18 18:58:02

Papa gjatë Meshës përfundimtare të shtegtimit në Ligurie: “Në një shoqëri që priret nga individualizmi, Kisha bën thirrje për bashkim".


(18. 05.2008 RV)RealAudioMP3 Përfundoi vizita baritore e Benediktit XVI në Savonë e në Gjenovë. Ishte udhëtimi i nëntë apostolik i Atit të Shenjtë në dioqezat italiane. Dje, në Savonë, Papa vizitoi Shenjtëroren e Zojës së Mëshirës dhe kryesoi Meshën Shenjte në Sheshin e Popullit.
Mbrëmë arriti në Gjenovë, ku sot pasdite kremtoi Meshën Shenjte në praninë e një turme prej më se 100 mijë besimtarësh, në sa pas shiut që nuk pushoi gjithë paraditën, dielli lëshoi rrezet e fundme mbi elterin e bardhë, ngritur në Sheshin e Fitores, për t’ia lëshuar përsëri vendin reve.
Gjatë homelisë, duke komentuar leximet liturgjike të së dielës, Ati i Shenjtë shpjegoi se Hyji, i Amshuar e i Padukshëm, i mëshirshëm e i dhëmbshur, i ngadalshëm në zemërim, plot hir e besnikëri, e deshi aq shumë botën, sa t’i dhuronte Birin e tij të vetëm. E këto cilësi na tregojnë qartë se Ai dëshiron të bëhet miku ynë, të na e mbushë shpirtin, të krijojë me ne një lidhje të fortë e të pazgjidhshme.
Benedikti XVI ritheksoi me forcë shprehjen aq të dashur, që karakterizon papninë e tij e që përbën edhe titullin e enciklikës së tij të parë:
“Hyji është dashuri; Dashuri Ati – Dashuri Biri – Dashuri Shpirti Shenjt”.
Festa e sotme - vijoi Papa – na nxit pikërisht ta kundrojmë atë, Zotin, duke na ftuar të ngjitemi simbolikisht ‘mbi mal’, siç pati bërë Moisiu.
“Kjo, në vështrimin e parë, duket sikur na largon nga bota e nga problemet e saj, por në të vërtetë, pikërisht duke e njohur nga afër Hyjin, jemi në gjendje ta njohim më mirë edhe vetë jetën. E kjo, sepse nga emri i Hyjit varet historia jonë, nga drita e fytyrës së Tij, rruga jonë”.
Jezusi – shpjegoi në vijim Papa – na zbuloi se njeriu është ‘bir’, krijesë që jeton në lidhje të ngushtë me Hyjin Atë. Prandaj:
“Njeriu nuk mund të realizohet në autonomi absolute, duke e gënjyer mendja se është vetë Zot; përkundrazi, realizohet plotësisht vetëm duke pranuar se është bir, krijesë e lidhur me Hyjin e me vëllezërit, në fytyrat e të cilëve rigjen shembëllimin e Atit të përbashkët”.
Duket qartë se ky konceptim i Hyjit dhe i njeriut është në themel të një modeli, që përkon me bashkësinë njerëzore, dmth me shoqërinë e që bazohet mbi idenë e Hyjit Trini, të njeriut si person – e jo vetëm si indidivid – e të shoqërisë, si bashkësi – jo vetëm si kolektiv.
Më pas Benedikti XVI u ndal tek dokumentet më të rëndësishme papnore, që e mbështesin këtë vizion mbi Hyjin e mbi njeriun, duke nisur nga Doktrina shoqërore e Kishës, për të vijuar me Kushtetutën Konciliare ‘Gaudium et spes’, me enciklikat e Gjonit XXIII, Palit VI e të Gjon Palit II, që të gjitha me vlerë të madhe për orientimin e katolikëve në shërbimin e tyre shoqëror e politik. Ati i Shenjtë kujtoi edhe enciklikën e tij “Deus caritas est”, duke theksuar dy detyra themelore: së pari, detyrën që Zoti të zërë gjithnjë kryet e vendit në jetën e çdo të krishteri e, së dyti, të jetë në qendër të vëmendjes njeriu: këto janë dy mësimet bazë që u përcjell të gjitha breznive njerëzore Kisha, e cila në epokën e globalizimit e të individualizmit, duhet t’i japë botës dëshminë e bashkimit, duke i mësuar besimtarët të kultivojnë një fe të mirëmenduar, e cila i aftëson të dialogojnë me të gjithë vëllezërit jo katolikë dhe të ndihmojnë të varfërit, duke marrë, përherë e kudo, forcë nga Eukaristia.
Këtë, theksoi Benedikti XVI në homelinë e Meshës, kremtuar në Sheshin e Fitores të Gjenovës, ndërsa sot paradite, duke u takuar me mjekët dhe fëmijët e shtruar në spitalin pediatrik Gazlini, u përcolli mesazhin:
“Të jeni të sigurtë: Zoti nuk na braktis kurrë. Mos u ndani prej Tij e nuk do ta humbisni paqen e shpirtit as në çastet më të errëta e më të ndërlikuara”.
Gjithnjë paradite, takimi me të rinjtë në Sheshin Mateoti, ku Ati i Shenjtë kremtoi edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Të rinjtë e rrethuan Papën me entuziazmin e tyre rinor, pa pyetur për shiun, që nuk pushoi gjatë gjithë takimit, prandaj Benedikti XVI i falënderoi e më pas i porositi:
“Të jeni gjithnjë të rinj, pa harruar se rinia e vërtetë nuk ka të bëjë me vitet, as me aftësinë për punë, nuk do të thotë të ndjekësh modën e as mitet e rreme, që vlerësojnë vetëm dukjen”.
Për fat të keq ka të rinj që e kanë shpirtin të plakur, ndonëse nuk u mungojnë të mirat tokësore. Plaken para kohe, sepse u mungon gjëja më e rëndësishme, ajo që të mbush çdo zbraztësi, mirësia e vërtetë, Jezusi. E ka edhe nga ata që duan të mbetën të rinj me çdo kusht e maskohen si të rinj, ndonëse pamja e tyre flet vetë e tregon se rinia u ka kaluar prej kohe. Në se doni të mbeteni gjithnjë të rinj, ndiqeni Jezusin:
“Ai, vetëm Ai, është miku që nuk të tradhton. Besnik deri në dhurimin e jetës në kryq. Dorëzojuni para dashurisë së tij. Jezusi dha jetën për ju”.
Duke i ftuar të rinjtë në takimin e madh rinor të Sidneit, u dorëzoi përfaqësuesve të tyre Ungjillin, si shenjë e mandatit misionar, duke u bërë thirrje:
“Shkoni, të dashur të rinj, në mjediset e jetës, ndër famulli, në lagjet më të vështira, në rrugë. Predikojeni Krishtin Zot, shpresë për botën!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.