365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(18.05.2008 RV)18 maj: Bernardini
i Sienës, një mësim befasues për bashkëshortët. Sheshi i Sienës është përplot
me njerëz: u desh të ndërtohej një tribunë, që të gjithë ta shikonin e ta dëgjonin
Bernardinin. Jemi në vitin 1430 e Bernardini është një rregulltar françeskan, që i
bie kryq e tërthor udhëve të Italisë, këmbëzbathur, duke lypur derë më derë një copë
bukë për të ngrënë. Kudo i shkel këmba, njerëzit ngarendin ta dëgjojnë kur flet për
Hyjin. Dhe kanë ç’të dëgjojnë. Sapo hap gojën për të folur, Bernardini i mahnit dëgjuesit.
Është predikatar i madh. Ndalet në një qytet, ku i qorton banorët për jetën e tyre
luksoze e, pak kohë pas largimit të tij, administrata vendase ndez një turrë drunjsh,
ku flak rrobet e stolitë e shtrenjta, që bëhen hi e pluhur. Në vitin 1425, në qytetin
e Sienës, prej nga vjen Bernardini, françeskani kritikon lojën e bixhozit, duke e
quajtur imorale e, menjëherë pas, shkatërron mjedisin ku luhet. Turma është zhytur
në një heshtje të thellë. Pret me padurim fjalën e fratit. Ç’do të thotë sot? Bernardini
arrin e nis, sakaq, predikimin. Turma vijon të heshtë, e mahnitur. “Gratë nuk
duhet t’u nënshtrohen burrave, sepse kanë të drejta të barabarta”. Të flasësh kështu
në shekullin XVI do të thotë të thuash gjëra të padëgjuara. Është një fjalë tejet
e re kjo, që po i thuhet sot dëgjuesve. E, pa e kryer mirë fjalën predikatari, një
grua e shikon të shoqin me vështrim ngacmues e i thotë: “Ej, Jozef, si po të duket
predikimi?”. Jozefi i gjorë, jashtëzakonisht i çuditur, mërmëron: “Na ardhka
frati për të na e zbuluar një të vërtetë, që e dinë të gjithë. Madje prej kohe! E
vërteta është shkruar në Bibël nga Shën Pali, që thotë: ‘Gratë duhet t’u binden burrave
të vet në gjithçka’. Bibla është fjala e Zotit: nuk mund ta kundështojë askush!”. Po
Bernardini vijon fjalimin e kujton pikërisht Shën Palin, duke shpjeguar se fraza e
cituar nga Jozefi, ka një kuptim të përcaktuar. Eshtë shkëputur nga një letër, në
të cilën Shën Pali thotë se dashuria e burrit për gruan, është si dashuria e Krishtit
për Kishën e vet. Figurë e bukur, por edhe e ndërlikuar. Fraza e famshme mbi nënshtrimin
e grave, është shumë e urtë, por nuk duhet të shkëputet nga shprehjet e tjera, as
të citohet në çdo lloj situate, vetëm e vetëm për t’ua mbyllur gojën grave! Shën
Pali sigurisht nuk donte t’i shndërronte burrat në tiranë. Përkundrazi, burrat duhet
të jenë gati të japin edhe jetën për gratë e veta, ashtu si Krishti dha jetën për
Kishën. Kështu, bashkëshortët duhet t’i shërbejnë me të njëjtën dashuri e bindje njeri-tjetrit”. Turma
e dëgjon Bernardinin, e befasuar nga kjo ide krejt e re. Në këtë histori nuk tregohet
ç’thanë burrat, kur u kthyen në shtëpi të vet. Por s’ka dyshim se e medituan fjalën
e Bernardinit… për ta vënë më pas edhe në jetë.