2008-05-17 19:05:36

Saktësim i kardinalit Bertone mbi ndalimin e shugurimeve meshtarake të njerëzve me prirje homoseksuale.


(17.05.2008 RV)“Kisha, ndonëse duke i respektuar thellësisht njerëzit në fjalë, nuk mund t’i pranojë në Seminar e në urdhërat kishtare, ata që praktikojnë homoseksualitetin, që kanë prirje thellësisht të rrënjosura homoseksuale ose që përkrahin të ashtuquajturën kulturë gay”. Kjo normë, që përmbahet në Udhëzimin e Kongregatës për Edukimin Katolik të 4 nëntorit 2005 (Udhëzim mbi kriteret e shqyrtimit të thirrjes, lidhur me personat me prirje homosksuale, parë në lidhje me pranimin e tyre në Seminar e në urdhërat kishtare) vlen për të gjitha Shtëpitë që merren me formimin e meshtarëve të ardhshëm, duke përfshirë edhe ato që varen nga Dikasteret për Kishat Lindore, për Ungjillëzimin e Popujve dhe për Institutet e Jetës së Përkushtuar e Shoqëritë e Jetës Apostolike”. Kjo saktësohet në një “Rescriptum ex audientia” me nënshkrimin e kardinalit Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, miratuar nga Papa e publikuar pas kërkesave të shumta për sqarime lidhur me këtë problem, drejtuar Selisë së Shenjtë.
Kujtojmë se Udhëzimi i vitit 2005 pohonte se për shkak të shembëllimit të meshtarit me Krishtin, ‘ai duhet t’ia dhurojë gjithë vetveten Kishës, duke u dalluar për një dashuri të vërtetë baritore’: për këtë arsye, kandidati për meshtari, duhet të arrijë pjekurinë e plotë ndjenjësore. Një pjekuri e tillë e bën të aftë për krijimin e marrëdhënieve korrekte me burrat e gratë, duke krijuar në shpirtin e tij një atësi të vërtetë shpirtërore për bashkësinë kishtare që i është besuar.
Për ata që kanë prirje homoseksuale të rrënjosura thellë, Udhëzimi, duke kërkuar ‘të shmanget çdo diskriminim i padrejtë’, thekson se njerëz të tillë ndodhen në një gjendje që e pengon seriozisht lidhjen korrekte me burrat e gratë, prandaj nuk duhen shpërfillur pasojat negative që mund të rrjedhin nga shugurimi i tyre.
Ndërsa, kur bëhet fjalë për prirje homoseksuale kalimtare – shton Udhëzimi – si për shembull, në periudhën e adoleshencës, ende larg pjekurisë, prirje të tilla duhen zhdukur të paktën tri vjet para shugurimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.