2008-05-16 17:47:47

Benedikti XVI ipeshkvijve tailandezë, në vizitë ‘ad Limina”: të promovojnë dialogun ndërfetar, për të përballuar sfidat e globalizimit.


(16.05.2008 RV)Dialogu ndërfetar, sidomos me budistët, dhe mbrojtja e dinjitetit të njeriut, posaçërisht përballë fenomeneve të turpshme, si trafiku i fëmijëve dhe prostitucioni, ishin temat kryesore të fjalimit që mbajti sot Benedikti XVI, duke pritur në audiencë ipeshkvijtë e Tailandës, me rastin e vizitës së tyre ‘ad Limina Apostolorum’. Papa vuri theksin edhe mbi kontributin e institucioneve shkollore katolike në gjirin e shoqërisë tailandeze.
Solemniteti i Rrëshajëve, që e kremtuam të dielën e kaluar - nënvizoi Ati i Shenjtë - i kujton secilit nga ne se Shpirti Shenjt na nxit t’ua kumtojmë Krishtin të gjithë njerëzve. Në Tailandë – vijoi Papa – ky mision i bashkësisë së vogël katolike kryhet në rrethanat e marrëdhënieve me budistët, të cilët prelatët tailandezë i vlerësojnë për kontributin e tyre në jetën shoqërore e kulturore të vendit:
“The coexisestence of different religious communities…”
Bashkëjetesa me bashkësitë e ndryshme fetare – pohoi Papa – zhvillohet në sfondin e globalizimit, që e ndan njerëzimin në dy pole. Nga njëra anë, vërehet thellimi i lidhjeve kulturore dhe ekonomike, që zakonisht e forcojnë ndjenjën e solidaritetit global dhe atë të përgjegjësisë së përbashkët për të mirën e njerëzimit. Ndërsa, nga ana tjetër, vërehen shenjat shqetësuese të copëzimit e të individualizmit, që kanë si pasojë zhvillimin e mëtejshëm të shekullarizmit, i cili dëshiron ta mbyllë Zotin në sferën private, duke errësuar kështu të vetmin burim të harmonisë e të unitetit të universit. Prej këndej, Papa bëri thirrje për bashkëpunim ndërfetar, sidomos me budistët, për t’u transmetuar breznive të reja traditat fetare e njerëzore.
“Of particular concern to you is the scorge of the trafficking…”
Benedikti XVI denoncoi me forcë shuplakën e trafikut të grave e të fëmijëve si dhe atë të prostitucionit, plagë e hapur në gjirin e shoqërisë tailandeze. Duke theksuar se një fenomen i tillë buron nga varfëria, Benedikti XVI i porositi ipeshkvijtë ta luftojnë me të gjitha forcat çdo formë të shfrytëzimit njerëzor, t’i kundërvihen banalizimit të seksualitetit në media e në industrinë e dëfrimit, që shkatërron çdo vlerë morale dhe çon në zvetënimin e gruas, në ligështimin e besnikërisë bashkëshortore e deri në shpërdorimin e fëmijëve.
Takimi i sotëm i ipeshkvijve tailandezë me Papën shënoi edhe përfundimin e vizitës së tyre ‘ad Limina’, duke i hapur kështu rrugën ipeshkvijve shqiptarë, të cilët do të jenë të hënën e ardhshme në Vatikan, për të filluar vizitën e tyre të dytë ‘tek Varret e Apostujve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.