I dërguari i Ban Ki-Mun në Mianmar.Konfiskohen nga junta ndihmat humanitare për popullsitë
e goditura nga cikloni.
(15.05.2008 RV)Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun ka ndërmend të
nisë për në Mianmar zëvendësin e tij për çështjet humanitare, Xhon Holms. Dje ai u
takua me delegatët e shteteve anëtare të OKB-së, që bëjnë pjesë në zonën e Azisë,
dhe me një përfaqësues të Mianmarit. Qëllimi është të koordinohet operacioni në ndihmë
të viktimave të ciklonit Nargis me një qendër logjistike jashtë vendit. Numri zyrtar
i të vdekurve ka arritur në 44 mijë vetë, por sipas OKB-së mund të jenë edhe 100 mijë.
Ndërkaq, në Këshillin e Sigurimit vazhdon debati për ndërhyrjen humanitare në bazë
të parimit të përgjegjësisë për mbrojtjen e popullsive në nevojë, por deri tani nuk
është arritur një marrëveshje. Për këtë parim pati folur edhe Papa Benedikti XVI në
fjalimin që mbajti në OKB, gjatë udhëtimit të tij në SHBA.
Vazhdon vizita e
presidentit amerikan Xhorxh Bush në Lindjen e Mesme. Sot ai foli para Kneset, parlamentit
izraelit, i cili, si gjithë shteti hebraik, feston 60-vjetorin e themelimit. Bush
foli për Iranin, duke thënë se do të ishte “tradhëti e pafalshme ndaj brezave të ardhshëm”
nëse bota do ta lejonte Teheranin të armatosej me armë bërthamore. Gjithashtu ai përsëriti
mbështetjen amerikane ndaj Izraelit dhe theksoi se lufta kundër terrorizmit është
luftë e së mirës kundër të keqes. Misioni i presidentit Bush në zonë ka për qëllim
t’i japë hov të ri procesit të paqes, por edhe gjatë vizitës së tij dhuna nuk ka ndaluar.
Ndërsa Sllovenia ka lajmëruar autoritetet e Kosovës se ka ndërmend të hapë
ambasadën e saj në vend, ministrat e jashtëm të Indisë, Kinës dhe Rusisë kanë kërkuar
rifillimin e bisedimeve Prishtinë-Beograd për statusin. Sipas ministrit të jashtëm
rus, Sergei Lavrov, kështu do të zgjidheshin mbi bazën e ligjit ndërkombëtar, shumë
probleme të mbetura pezull. Lajmi jepet nga agjensia ruse Itar-Tass.
Dy
personat e dyshuar për atentatin e 13 majit kundër Ali Ahmetit, kryetarit të Bashkimit
Demokratik për Integrim në Maqedoni janë tashmë në duart e drejtësisë. Fjala është
për Faruk Iljazin dhe Vullnet Xhelilin. Ky i fundit u dorëzua dje vetë. Ndërkaq, NATO-ja
kritikon atmosferën e nderë parazgjedhore në vend dhe bën thirrje për zgjedhje të
lira, të drejta e pa dhunë.