2008-05-15 17:29:21

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(15.05.2008 RV)RealAudioMP3 15 maj: Koncili i Konstancës dhe rikthimi i Kishës në gjendje normale
Në pranverën e vitit 1415 ipeshkvijtë e mbledhur në Koncilin e Konstancës, janë thellësisht të trazuar. Sapo e morën vesh se papa ka ikur! Gjoni XXIII, që i kishte thirrur për të reflektuar mbi reformat e reja në Kishë, është zhdukur gjatë natës, i veshur si shërbëtor. Tani nuk është më koncil, ky që zhvillohet në qytetin e qetë zviceran, por telash i vërtetë! Të gjitha problemet nisën në vitin 1378, kur fraksionet kundërshtare të kardinajve zgjodhën njëherësh dy papë. Kështu një papë doli tepër. Për t’u rikthyer në gjendje normale, në vitin 1409 kardinajtë patën një ide të keqe: menduan t’i shkarkojnë të dy papët e të zgjedhin një të tretë. Kishin harruar një gjë tepër të rëndësishme: se papët mund të mos pranonin fare të hiqnin dorë nga froni i Shën Pjetrit. Prandaj na u bënë tre papë.
E ja që Gjoni XXIII, i zgjedhur më 1409, ia mbathi këmbëve, sepse askush nuk e konsideronte papë të ligjshëm. Shkoi të kërkonte aleatë të fuqishëm, që ta ndihmonin për ta shpërndarë Koncilin. Por më kot, sepse në këtë histori të ngatërruar, vetëm një gjë ishte e qartë: duhej gjetur rrugëzgjidhja që ta shkulte të keqen me gjithë rrënjë, për të rivendosur paqen në Kishë. E për ta gjetur këtë rrugëzgjidhje, sigurisht që nuk mund të kërkohej mbështetja tek papët kokëkrisur! Ipeshkvijtë atëherë vendosin të marrin masa ekstreme. Para së gjithash deklarojnë se asambleja e Konstancës ka shumë më tepër pushtet se papët: vendimet e marra nga kardinajtë do të konsiderohen si të drejta e papët duhet t’i pranojnë pa fjalë.
Në radhë të dytë, ipeshkvijtë bëjnë një farë spastrimi në fronin e Shën Pjetrit, ku janë ulur njëherësh tre vetë. E shkarkojnë nga detyra Gjonin XXIII, të cilin e detyrojnë me forcë të rikthehet në Konstancë. Për papën Gregori XII nuk lodhen shumë, sepse ai, i frikësuar, heq dorë vetë nga papnia. Atëhere mbetet vetëm Benedikti XIII. Ipeshkvijtë dërgojnë kasnecë për ta marrë deri në jug-perëndim të Francës, ku është strehuar. Po Benedikti XIII nuk do t’ia dijë fare për vendimet e Koncilit. S’ka forcë që ta tundë nga froni papnor. Me këtë bindje do të vdiste pak vjet më vonë. Ndërsa për ipeshkvijtë, froni i papës tashmë është i lirë. Marrin, prandaj, masat, për ta zgjidhur sa më shpejt këtë problem të mprehtë. Papa i ri duhet të zgjidhet me shumicën dërmuese të votave, në mënyrë që të gjithë të jenë të një mendjeje. Më 8 nëntor të vitit 1417 zgjedhësit mblidhen përsëri e, në më pak se tri ditë, votojnë pothuajse njëzëri, për kardinalin Odone Kolona, që merr emrin e Shenjtit të ditës: Martini V. Këmbanat e Konstancës bien të gjitha përnjëherësh, për ta shpërndarë lajmin: Kisha ka rigjetur një Kryebari të vetëm, të padiskutueshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.