2008-05-14 19:14:15

Mianmar: ndihmat shpërndahen me pikatore


(14.05.2008 RV)“Në Jangun gjendja është përmirësuar, megjithëse njerëzit duhet t’i blejnë ushqimet në dyqane, sepse shpërndarja e tyre publike bëhet me pikatore”. Lajmi jepet nga agjensia katolike MISNA, e cila citon një burim anonim nga një organizatë humanitare. Energjia elektrike – shpjegon burimi nga ish-kryeqyteti i Mianmarit, 12 ditë pas kalimit të ciklonit Nargis – është kthyer në shumë zona dhe rrugët janë pastruar nga pemët e rëna e nga gërmadhat, por këtë nuk e kanë bërë ushtarakët, të cilët nuk kanë mjetet e përshtatshme. Kanë qenë ndërmarrjet private, që kanë marrë përsipër këtë detyrë. Gjendja gjithsesi, mbetet e vështirë në lagjet e varfëra dhe është vërtet e dëshpëruar në qytetet e Deltës së lumit Irrauadi. Aty njerëzit varen krejtësisht nga ndihmat e fatkeqësisht, kjo do të ndodhë për shumë kohë, pasi të korrat janë prishur krejtësisht. Në këtë periudhë fillon sezoni i shirave, i cili do ta vështirësojë akoma më tej situatën. Zyrtarisht, cikloni ka shkaktuar rreth 34 mijë viktima e 28 mijë të humbur, por OKB-ja e ngre shifrën në 60 mijë – 100 mijë vetë. 1 milion e gjysëm banorë kanë mbetur pa shtëpi, por junta ushtarake nuk ka dhënë asnjë lajm për ta.







All the contents on this site are copyrighted ©.