2008-05-14 19:11:41

India në darën e atentateve: së paku 80 viktima


(14.05.2008 RV)RealAudioMP3 India në darën e atentateve. Një zinxhir shpërthimesh përfshiu dje qytetin e Zhaipurit, kryeqytet i Raxhastanit, duke shkaktuar së paku 80 viktima e mëse 150 të plagosur. Policia ka vendosur shtetrrethimin, ndërsa hetimet për autorët e krimeve çojnë në ambiente ekstremistësh islamikë, të lidhur me Al Kaidën. Janë arrestuar dhe marrë në pyetje katër persona. Po përse të goditet Shteti i Raxhastanit, i cili ndodhet në kufi si me Pakistanin, ashtu edhe me Kashmirin? Pyetëm atë Karlo Torrianin, misionar i Institutit Papnor të Misioneve të Jashtme, i cili që prej 39 vjetësh punon në lebrozarët indianë:
Mendoj se kanë dashur të godasin industrinë turistike të Indisë: Zhaipur, Qyteti i Kuq, është një qendër turistike. Është goditur pra një industri, që i sjell të ardhura Indisë.
Flitet për ekstremistë islamikë të lidhur me Al Kaidën, të cilët janë kundër pranisë indiane në Kashmir. Cila është situata gjeopolitike e Indisë veriperëndimore?
Kontrolli i Kashmirit i ka keqësuar marrëdhëniet ndërmjet Indisë dhe Pakistanit, që nga lindja e këtyre dy shteteve. Kufiri është vetëm një vijë kontrolli e nuk njihet nga asnjëri prej shteteve e as në nivelin ndërkombëtar. Edhe akte të tjera ekstremizmi janë të lidhura me Al Kaidën. Por, kohët e fundit, atentatet i atribuohen jo aq Pakistanit, sa Bangladeshit. Por thuhet edhe se është Pakistani, që vepron përmes myslimanëve të Bangladeshit.
Si vepron Kisha katolike në këto zona?
Kisha katolike është pakicë, por është përpjekur gjithnjë të ndërmjetësojë mes mazhorancës hindu dhe pakicës më të madhe, asaj myslimane.







All the contents on this site are copyrighted ©.