2008-05-14 18:35:44

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(14.05.2008 RV)RealAudioMP3 14 maj: Koletë Bualì, vajza që mbyllet me kënaqësi në kuvend
“Mami, mami, kam frikë nga kjo zonja! Po pse, moj mami, është mbyllur në atë burg, pranë kishës?”.
“Nuk e ka mbyllur njeri, Tangì, ka dashur vetë. Koletë Bualì dëshiron ta kalojë gjithë jetën duke u lutur, pa u habitur me gjëra të tjera. Kjo vajzë e jashtëzakonshme, lutet për vetveten, por edhe për ne, për qytetin, Korrbìnë e për gjithë vendin tonë”.
“Sa vjeçe është?”.
“Njëzet e pesë”.
Një zonjë plakë, që e dëgjon këtë bisedë, nuk mund të rrijë pa thënë fjalën e vet:
“Unë mendoj si yt bir, moj zonja ime e dashur. Në do ta dish, kjo Koleta, më shqetëson seriozisht edhe mua. Në se dëshiron të lutet, moj zonjë e dashur, kush e pengon. Të shkojë e të lutet në të gjitha Kishat e Korrbìsë. Më duket ide krejt e çuditshme të mbyllesh kështu në një qeli! Ku ta dish! Ndoshta është e çmendur. Ose paksa edhe shtrigë, përderisa është në gjendje të lexojë mendimet e njerëzve! E këtë e provon fakti se u bërtet disa kalimtarëve e, më shumë se të gjithëve, personaliteteve të qytetit. Qyqarët ç’i ka gjetur. S’gjejnë derman prej saj”.
“Më fal, zonjë”, përgjigjet nëna e Tangì, “po unë besoj se Koletë është nën mbrojtjen e Hyjit”.
Pak më larg, një frat françeskan e ndjek bisedën pa i humbur asnjë fjalë. Harrì dë la Bomë e di se Koletë i çudit të gjithë. Ka nga ata që e admirojnë, por ka edhe nga ata që tremben prej saj. Gjithsesi, askush nuk mund ta përmbajë veten pa shprehur një mendim, kur kalon para qelisë së vockël, në të cilën Koletë lutet gjithë ditën. Harrì ka bindjen se Koletë është shenjtore. Në se Kisha do ta udhëhiqte, ajo do të bënte gjëra të mrekullueshme. Po, Kisha duhet ta udhëhiqte…
Harrìt i lind një mendim. Në këtë kohë kuvendet e themluara nga Shën Françesku e Shën Kiara, nuk janë më si dikur, kur themeluesit ishin gjallë e në krye të punës. Vëllezërit e motrat e Shenjtit të Asizit e kanë humbur traditën, nuk luten më si më parë, prandaj numri i tyre vijon të pakësohet. Mëkat që ky urdhër i mrekullueshëm po perëndon. Ka nevojë për burra e gra të jashtëzakonshme që t’ia rikthejnë forcën e dikurshme këtyre kuvendeve. Koletë Bualì, me dashurinë e saj për lutjen dhe për varfërinë e plotë, do të ishte abateshë e përsosur klarise (‘klarise’ quhen murgeshat që jetojnë sipas rregullës së Shën Kiarës).Harrì dë la Bómë ia arrin të sigurojë një takim për Koletën … as më pak e as më shumë se me vetë Papën, i cili i jep lejën t’i shtojë një degë të re urdhërit të klariseve. Në vitin 1410 Koletë largohet përfundimisht nga qelia e saj e Korrbisë e shkon të jetojë në një kuvend të Bezansô. Ia del mbanesh ta çojë përpara aq mirë misionin e saj, sa themelon 18 kuvende të reja, të cilat edhe sot e kësaj dite janë plot me murgesha, që vijojnë të njihen si klariset koletine.







All the contents on this site are copyrighted ©.