2008-05-13 18:37:05

Presidenti Bush në Lindjen e Mesme për procesin e paqes


(13.05.2008 RV)Është e nevojshme të ndihmohet qeveria libaneze e Fuad Siniorës të forcojë aftësitë e veta ushtarake. Fjalët janë të presidentit amerikan Xhorxh Bush, para vizitës së tij në Lindjen e Mesme, e cila fillon në mbrëmjen e sotme. Qeveria libaneze kërcënoi se do të përdorë ushtrinë nëse nuk kthehet paqja në vend. Gjthashtu, mund të revokohen vendimet anti-hezbollah të marra ditët e kaluara, të cilat e konsiderojnë të paligjshëm rrjetin e telekomunikacionit të lëvizjes islamike shiite.
Bush akuzoi sërish Iranin dhe Sirinë si burime të paqëndrueshmërisë në rajon dhe theksoi se pa mbështetjen e Teheranit, hezbollahët nuk do të kishin asnjë lloj pushteti. Të njëjtat akuza bëri sot edhe ministri i jashtëm saudit, i cili kërcënoi Iranin se nëse vazhdon të mbështesë grushtin e shtetit në Liban, do të ketë pasoja në marrëdhëniet me vendet arabe.


Presidenti amerikan Bush ndodhet pra që sot në Lindjen e Mesme për t’u dhënë forcë shpresave të paqes. Në Jeruzalem, ai do të marrë pjesë në kremtimet e 60-vjetorit të themelimit të shtetit të Izraelit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të flasë edhe para parlamentit të Tel Avivit, por nuk do të jetë e mundur një bisedë treshe ndërmjet vetë presidentit Bush, kryeministrit izraelit Olmert e presidentit palestinez Abu Mazen. Olmert është i zënë me skandalin financiar ku është përfshirë, ndërsa Abu Mazen ndodhet në vështirësi për shkak të rifillimit të dhunës nga Hamasi.


Primaret amerikane në Uest Virgjinia shohin sërish ballë për ballë Hilari Klintonin dhe Barak Obamën. Klinton është më e favorizuara. Votojnë edhe republikanët në Nebraska, por dihet tashmë se kandidati i tyre për president është senatori i Arizonës, Xhon MekKein.







All the contents on this site are copyrighted ©.