2008-05-13 17:49:55

Në Fatima kremtohet 91-vjetori i dukjes së parë të Zojës së Bekuar.


(13.05.2008 RV)RealAudioMP3 Më 13 maj, 91 vjet më parë, në livadhet e Kova d’Iria, ku tre fëmijë: Luçia, Gjaçinto e Françeska, kullosnin grigjët e tyre, u duk për herë të parë Virgjëra Mari, dukje që e shndërroi qytetin e Fatimës në qendër përshpirtërie botërore. Ndërsa Shenjtërorja portugeze dhe Kisha në mbarë botën kremtojnë sot festën e Zojës së Fatimës, ne u lidhëm telefonikisht me rektorin e Shenjtërores, imzot Luçiano Gomes Paulo Guerra, të cilin e pyetëm si u rrënjos fjala mariane që vjen nga Kova d’Iria, në historinë njerëzore të shekullit të fundit:

Përgjigje: - U rrënjos për vullnet të Hyjit, përmes hireve, veprave të jashtëzakonshme që kryen Hyji në Kishë e në mbarë botën. Mendoj se u rrënjos përmes dukjeve e mrekullisë së diellit. Zoja foli për kthimin e Rusisë, gjë që ngjalli për vite me radhë shpresa të mëdha. Pastaj dukjet u lidhën nga Provania hyjnore edhe me jetën e Gjon Palit II, me atentatin e 13 majit 1981. E edhe për këtë Zoja e Fatimës njihet, nderohet e duhet nga mbarë bota.







All the contents on this site are copyrighted ©.