(12.05.2008 RV)Qetësia e dukshme në Liban u prish sërish në veri, ku në Tripoli
ka pasur ndeshje me armë ndërmjet milicëve sunitë pro-qeveritarë dhe guerrilasve hezbollah.
Një person ka humbur jetën për shkak të një plumbi që e kapi ndërsa ecte rrugës. Ndërkaq,
bilanci i ndeshjeve të djeshme në Bejrut ndërmjet druzëve aleatë dhe atyre armiq me
hezbollahët ka arritur në 36 viktima. Sot, në kryeqytetin libanez gjendja është më
e qetë, me sinjale të pakta se jeta po rifillon sërish. Që nga e mërkura e kaluar,
fillimi i konfliktit në Liban, 82 persona janë vrarë e 250 të tjerë janë plagosur. Pas
mbledhjes së jashtëzakonshme të Lidhjes Arabe, në nivel ministrash të jashtëm, sot
në Bejrut mbërriti një delegacion i organizatës panarabe, i cili duhet të ndërmjetësojë
mes palëve. Akoma nuk është fiksuar një datë për këtë, por burime nga shtypi flasin
për të mërkurën.