2008-05-12 18:31:44

Benedikti XVI Lëvizjes për Jetën, në 30-vjetorin e ligjit mbi abortin në Itali, që nuk i ka zgjidhur problemet, përkundrazi, e ka zhvleftësuar vlerën e jetës.


(12.05.2008 RV)Papa i falënderoi nga zemra përfaqësuesit e Lëvizjes kushtuar mbrojtjes së jetës, për çdo jetë ende të palindur, të shpëtuar nga vdekja. Me këto fjalë Benedikti XVI përfundoi audiencën e sotme me përfaqësuesit e Lëvizjes për Jetën, 30 vjet pas ligjërimit të abortit në Itali. Përballë 800 vetëve, që mbushnin plot Sallën e Bekimeve në Vatikan, Papa reflektoi për zhvleftësimin progresiv dhe zbehjen e respektit që pësoi vlera e jetës së njeriut, gjatë tre dhjetëvjeçarëve të praktikimit të abortit.
Vlera e jetës është e padiskutueshme. E për Papën, “respekti për jetën është drejtësia e parë që duhet zbatuar”. Pohimi i Atit të Shenjtë bëhet edhe më i mprehtë, në se shikohet në lidhje me të drejtat e njeriut, interesimi ndaj të cilave vijon të rritet në mbarë botën ndërsa, në mënyrë paradoksale, e drejta e atij që nuk ka lindur ende e është i paaftë për t’u mbrojtur, i nënshtrohet vetëm gjykimit të individit. Tridhjetë vjet ndërprerjesh të shtatzanisë në Itali, të autorizuara nga ligji, ndikuan jo pak si mbi mendësinë shoqërore, ashtu dhe mbi vetë mendësinë e të krishterëve, gjë që çon në përfundimin se jeta e njeriut sot vlen më pak se më parë:
“Duke vërejtur tri dekadat e kaluara e duke pasur parasysh gjendjen aktuale, nuk mund të mos pranojmë se sot është gjithnjë më e vështirë të mbrosh jetën njerëzore, sepse është krijuar mendësia, në rritje, e zhvleftësimit të saj, duke ia besuar gjykimit të individit. Si pasojë kemi më pak respekt për vetë njeriun, pavarësisht nga feja që praktikon”.
Natyrisht – pranoi Papa - shkaqet që çojnë në një vendim të dhimbshëm, siç është ai i abortit, janë të shumta e të ndërlikuara. E në se nga njëra anë Kisha, besnike ndaj urdhërimit të Zotit, nuk lodhet së përsërituri se vlera e shenjtë e jetës së çdo njeriu është pjesë përbërëse e planit të Krijuesit:
“Nga ana tjetër nxit e promovon çdo nismë në ndihmë të grave e të familjeve, që t’u krijojë kushtet e favorshme për ta mirëpritur jetën e për ta mbrojtur institutin e familjes, themeluar mbi martesën ndërmjet një burri e një gruaje. Lejimi i ndërprerjes së shtatzanisë nuk i ka zgjidhur problemet që shqetësojnë shumë gra, e jo pak bërthama familjare, por ka hapur një plagë të re në shoqërinë tonë, së cilës nuk i mungojnë edhe vuajtje të tjera”.
Është e nevojshme – vijoi Papa, duke iu drejtuar posaçërisht të krishterëve, që:
“Të dëshmohet konkretisht se respekti për jetën është drejtësia e parë që duhet zbatuar. Për atë që ka dhantinë e fesë, ky është detyrim, sepse ndjekësi i Krishtit është i thirrur të jetë gjithnjë profet i një të vërtete, e cila nuk mund të zhduket kurrë: Vetëm Hyji është Zot i jetës!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.