2008-05-10 16:24:31

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(10.05.2008 RV)10 maj: Gijom dë Masho: shpikja e bujshme i një kalorësi muzikant
Ideja qe tepër e thjeshtë, por askujt nuk i kishte shkuar ndër mend ta realizonte. Ishte fjala të shkruhej, për herë të parë në historinë e muzikës e të Kishës, një Meshë e kënduar. E kjo i shkoi ndër mend një kalorësi që quhej Gijom dë Masho.
Natyrisht, para tij, disa artistë kishin muzikuar pjesë të ndryshme të Meshës, por askush deri në atë kohë nuk kishte menduar të kompozonte një Meshë të plotë, me copëza të lidhura ngusht ndërmjet tyre, për të formuar një tërësi të harmonishme.
Mesha kushtuar Zojës së Bekuar e Gijom dë Mashosë, është një gjini muzikore krejt e re e…. e mahnitëshme: muzikanët do të magjepsen prej saj e do të vijojnë ta ndjekin udhën e hapur edhe në shekujt e mëpasëm.
Por dë Masho, sigurisht, nuk ishte revolucionar. Ishte kalorës mesjetar. Në jetën e tij të gjatë (jetoi nga viti 1300 deri në vitin 1377) ishte sekretar i Gjonit të Luksemburgut, mbretit të Bohemisë, me të cilin udhëtoi, luftoi, vizitoi oborret e mbretërve të Evropës. Gijom dë Masho e adhuron jetën e çkujdesur të epokës, por jo të gjitha ndryshimet i shkojnë për shtat: në vitet e fundit të jetës, shikon me trishtim si zhduken dalë-nga-dalë vlerat e kalorësisë, në një shoqëri që bazohet gjithnjë më pak mbi luftën e gjithnjë më shumë, mbi tregtinë.
Edhe në fushën e poezisë e të muzikës, në të cilat ai është specialist i madh, nuk i pëlqen lindja e një muzike që vetëquhet ‘moderne’. Aq më pak, përpjekja që bëhet, në emër të së resë, për të krijuar këngë, në të cilat përzjehet muzika kishtare me meloditë e dashurisë. Këtë nuk e do fare Gijom dë Masho, i cili dëshiron të jetë modern, por në një mënyrë tjetër, duke e respektuar traditën e krishterë.
E, duke u pëpjekur për ta realizuar këtë, arrin të kompozojë kryeveprën e tij, Meshën e Zojës së Bekuar. Muzika e dë Mashosë është moderne: e ndryshme nga kënga gregoriane, kënga me një zë të vetëm, që këndohet në mbarë Kishën deri në këtë kohë. Pa hequr dorë plotësisht nga ritmet muzikore tradicionale, Gijom dë Masho kalon nga kënga gregoriane, në këngën polifonike, të cilën të krishterët e epokave të mëpasme do ta pëlqejnë më shumë, sepse më melodioze… e më e lehtë për t’u kënduar.Historia e Gijom dë Mashosë është ajo e një artisti që krijoi muzikë të re, pa hequr dorë nga tradita.







All the contents on this site are copyrighted ©.