2008-05-09 19:14:36

Ndërroi jetë në Romë, atë Françesko Bota jezuit, mik i shqiptarëve


(09.05.2008 RV)Ndërroi jetë mbrëmë në orën 23.30 jezuiti italian i mirënjohur në Shqipëri, atë Françesko Bota. Që prej 53 vjetësh në Shoqërinë e Jezusit, atë Bota, 72 vjeç, u kthye në Shtëpinë e Atit pas një sëmundjeje të rëndë të pankreasit. Ata që i qëndruan pranë gjatë muajve të fundit dëshmojnë për vullnetin e tij të hekurt për të mos iu nënshtruar sëmundjes, e cila e bëri të ndërpresë udhëtimin e fundit në Tokën e Shenjtë dhe udhëtimin në Rumani, në Shtëpinë për Familjen të themeluar nga ai vetë.
Atë Françesko Bota lindi në Sardenjë më 29 tetor 1937. Në moshën 18 vjeçare hyri në Provincën torineze të jezuitëve. U shugurua meshtar më 21 qershor 1969. Ka qenë Asistent Kombëtar i Bashkësive të Jetës së Krishterë apo CVX dhe Rektor i seminarit të Napolit. Shqipëria e njohu për herë të parë si delegat të Eprorit Provincial të jezuitëve. Mësoi gjuhën shqipe dhe kontribuoi në paqtimin e gjakrave në vitin e vështirë 1997. Pasi u emërua Epror i Përgjithshëm i Italisë Qendrore ai e konsideroi si detyrë të kthehej në Shqipëri pas një viti, duke ia lënë vendin e eprorit një tjetri. Qëndroi në Shqipëri deri në vitin 2001, për t’u kthyer fillimisht në Kaliari të Italisë e më pas në Romë në Institutin e mirënjohur Masimiliano Masimo si rektor. Funerali i tij do të kremtohet në këtë institut të dielën 11 maj, në orën 14.30.







All the contents on this site are copyrighted ©.