2008-05-09 16:43:53

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(09.05.2008 RV)9 maj: Brixhida e Suedisë, që shtegtoi nga një vend shenjt në tjetrin
Shtëpia ku banon Brixhida Birgesdoter, suedeze prej dere bujare, transferuar në Romë më 1350, është e zbrazët. Njerëzit që vijnë ta takojnë, të çuditur, pyesin fqinjët:
“Ku është zonja Brixhidë?”.
“Sapo është nisur për shtegtim, së bashku me disa miq e me dy nga bijtë e saj”.
“Përsëri? Ore, po ç’bën kjo kështu? Gjithnjë për udhë…?!”.
“Kësaj radhe është nisur për në Jeruzalem. E ka ëndërruar gjithë jetën këtë shtegtim!”.
Gjatë jetës së saj, Brixhida e Suedisë ka përshkuar në këmbë mijëra kilometra. Në Mesjetë, të krishterët e quanin për detyrë të bënin të paktën një shtegtim të largët gjatë jetës së tyre. Të nisesh për shtegtim do të thotë të shkosh për t’u lutur tek varri i ndonjë shenjti, që e ke zgjedhur si model të jetës tënde. Është njëlloj si të shkosh për t’i kërkuar ndihmë e mbrojtje një vëllau më të madh në fe. Shtegtarët ecin gjithnjë në këmbë: edhe kur janë të pasur. Mjeti i vetëm që përdorin, janë këpucët.
Por Brixhida nuk kënaqet vetëm me një shtegtim. Është koleksioniste e vendeve të shenjta! Me shkopin e saj prej thane ka përshkuar mbarë Evropën, për t’u takuar me njerëz që ‘kanë arritur’ para saj në qiell. Ia ka nisur me një vizitë të thjeshtë te varri i Shën Olavit të Norvegjisë, jo shumë larg nga vendlindja. Më pas, më 1341, kur tetë fëmijët saj ishin tashmë të rritur, u nis me të shoqin, Ulfin, për në Santjago të Kompostelës, në Spanjë, dmth në skajin tjetër të Evropës.
Pas vdekjes së burrit, u largua nga Suedia për t’u vendosur në Romë, ku vdiqën e u varrosën Shën Pjetri e Shën Pali Apostuj. Roma është kryeqyteti i krishtërimit e vendi drejt të cilit dynden vazhdimisht shtegtarë nga të katër anët e botës.
Pas Romës, lista e vende që dëshironte të vizitonte Brixhida, vijoi të zgjatet. Shtegtarja e palodhur shkoi në Asizi, ku jetuan Shën Françesku e Shën Kiara; pastaj i erdhi radha Italisë së Jugut e pikërisht Barit, ku është varrosur Shën Nikolli; Salernos, ku gjindet trupi i Shën Mateut; Amalfit, ku u gjunjëzua tek varri i Shën Andreut… U nis, më pas, për vizitë tek varri i Shën Tomës në ishullin e Qipros, ku krishtërimi është fryt i predikimeve të Shën Palit. Me një fjalë, Brixhida e Suedisë shkoi t’i takojë të gjithë Apostujt e Jezusit e të gjithë shenjtorët më të njohur.Këto udhëtime e përgatitën për shtegtimin e fundit, më 1371. Ishte tashmë shtatëdhjetë vjeçe, kur u nis për të realizuar një ëndërr: për të shkelur në trojet ku jetoi Jezusi: Betlehem, Nazaret, Jeruzalem... Kurorëzonte kështu ‘karrierën’ e saj si shtegtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.