2008-05-08 15:55:31

U publikua programi zyrtar i vizitës së Benediktit XVI në Savonë e në Gjenovë. Gëzimi i kardinalit Banjasko.


(08.04.2008 RV)Salla e Shtypit të Vatikanit publikoi sot programin zyrtar të vizitës baritore të Papës në Savonë e në Gjenovë, më 17 e 18 majin e ardhshëm. Është udhëtimi i nëntë apostolik i Benediktit XVI në dioqezat italiane. Papa do të arrijë pasditën e së shtunës, 17 maj, në Savonë, ku do të vizitojë Shenjtëroren e Zojës së Mëshirës e do të kryesojë Meshën Shenjte në Sheshin e Popullit. Në mbrëmje do të jetë në Gjenovë: takimi i parë, të dielën paradite, vizita në Shenjtëroren e Zojës së Rojës. Më pas takimi me mjekët dhe fëmijët e shtruar në spitalin pediatrik Gazlini. Gjithnjë paradite, do të takohet me të rinjtë në Sheshin Mateoti, ku do të kremtojë edhe Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pasdite do të kryesojë Meshën në Sheshin e Fitores të Gjenovës.
Në mbrëmje, kthimi në Vatikan.Po, si pritet vizita e Papës? Përgjigjet, në mikrofonin tonë, kryetari i Konferencës ipeshkvnore italiane, imzot Angjelo Banjasko:

Me shpresa të mëdha e përgatitje të mëdha; me tharm, tharm shpirtëror lutjesh në të gjitha famullitë e, në mënyrë të veçantë, në formën e adhurimit të Eukaristisë. Kjo është themelore, që të mund ta rrethojmë Papën me dashurinë tonë, me lutjen tonë, me mbështetjen tonë. Pastaj edhe me tharm organizativ, që është gjithashtu i nevojshëm, në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet dioqezës e administratës civile. Gëzim i madh e shpresë e madhe në të gjitha famullitë, sepse duke vizituar Gjenovën, Ati i Shenjtë na përforcon në fe, duke e nderuar thellësisht qytetin tonë e Kishën tonë vendase”.







All the contents on this site are copyrighted ©.