2008-05-08 17:39:28

Që sot, Putin është kryeministër i Rusisë


(08.05.2008 RV)Ish-presidenti Putin u konfirmua sot nga Duma ruse si kryeministër i vendit, pasi dje i dorëzoi postin delfinit të tij, Dimitri Medvedev. Gjatë fjalimit që mbajti para parlamentit, Putin theksoi se dëshiron të merret kryesisht me ekonominë, për të cilën nevojiten masa të rënda në nivelin makroekonomik. Hapi i parë që parashtroi ishte rritja e përpjekjeve për uljen e inflacionit. Për këtë vit, inflacioni në Rusi parashikohet të jetë 14,3%.
Gjithashtu, Putin konfirmoi strategjinë ekspansioniste të Moskës. Ai denoncoi se thjesht “arësye politike” kanë penguar që kompanitë ruse të investojnë jashtë vendit. Gjatë vitit të kaluar, këto investime mund të ishin 50 miliard dollarë më shumë.


Kohë të vështira për lobistët evropianë në Bruksel. Me 547 vota pro, 24 kundër e 593 abstenime, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që kërkon rregulla më të rrepta për rreth 15 mijë lobistët, që sillen rreth institucioneve të Bashkimit Evropian në Strasburg e Bruksel. Ndër to, spikat regjistrimi i detyrueshëm në një regjistër të veçantë dhe transparenca më e madhe për aktivitetin e lobistëve në terren. Këto masa konsiderohen të pamjaftueshme për të parandaluar abuzimet, pasi nuk parashikojnë sanksione dhe i lihen shpesh vullnetit të secilit. Vitin që vjen, Komisioni Evropian ka mundësi të marrë masa më të rrepta edhe në këtë fushë.

Të gjenden programet më të shkëlqyera në fushën e parandalimit të krimit dhe të arritjes së optimumit të sigurisë për qytetarët. Ky është objektivi që i ka vënë vetes Instituti Ndërrajonal i OKB-së për kërkimet mbi krimin e drejtësinë, që sot ka përuruar një laborator për këtë qëllim, në Torino të Italisë. 30 ekspertë nga 15 shtete konfrontohen mbi mënyrat më të mira për t’i bërë ballë problemeve të sigurisë. Ideja është të krijohet një metodë globale nga praktikat e mira të disa vendeve në fusha të ndryshme. Për shembull, analizohet teknika me të cilën Skocia ka zgjidhur problemin e huliganëve, ose Hong Kongu ka zgjidhur problemin e korrupsionit në polici. OKB-ja dëshiron edhe të shtrijë në të gjithë zonën e Mesdheut, përvojën italiane me Konsultën për pluralizmin fetar e kulturor, e vetmja e këtij lloji në Bashkimin Evropian.








All the contents on this site are copyrighted ©.