2008-05-08 17:44:23

"A do të na shpëtojë bukuria?".


(08.04.2008 RV)U hap sot, në Lingoto të Torinos, Panairi XXI ndërkombëtar i librit - 2008, me temë: ‘A do të na shpëtojë bukuria?’. Atmosfera ishte polemike, për shkak të vendimit të organizatorëve për ta ftuar Izraelin si mysafir nderi. Duke hapur Panairin, që do të vijojë veprimtaritë lidhur me botën e pafundme të librit deri më 12 maj, Presidenti i Italisë, Gjorgjo Napolitano, nënvizoi se nuk mund të ketë dialog, në se mohohet e drejta për ekzistencë e shtetit të Izraelit, themeluar 60 vjet më parë. Kjo e drejtë – shtoi Presidenti italian – mund e duhet të përkojë me të drejtën e popullit palestinez për të krijuar shtetin e vet.
Më pas organizatorët nënvizuan se qëllimi i Panairit është të nderojë traditën letrare të Izraelit. E, me një citim biblik, kujtuan se ‘populli hebraik është populli i librit”. Kjo do të thotë se ky popull jo vetëm që i kushtohet me pasion leximit, por bashkon një larmi të vërtetë kulturash, sepse në Izrael janë mbledhur njerëz nga vende të ndryshme e me kultura nga më të ndryshmet. Duke lënë mënjanë polemikat, kthehemi tek Panairi e tek pikëpyetja, vënë pas shprehjes së famshme të Dostojevskit: “Do të na shpëtojë bukuria?”. Kjo pikëpyetje kërkon përgjigje, të cilat do të jenë në qendër të vëmendjes gjatë diskutimeve në Panair, ku do të flitet kryesisht për kategorinë estetike të së bukurës në evolucionin e saj. Nuk do të mungojnë edhe tematikat me karakter fetar. Sonte foli edhe sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, imzot Gjuzepe Betori, i cili u përqendrua tek ‘Bukuria e Fjalës së Hyjit në kohën tonë. Përkthimi i Biblës i Konferencës Ipeshkvnore Italiane”. Në Panair është e pranishme edhe Shtëpia Botuese e Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.