2008-05-08 15:55:56

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(08.05.2008 RV)RealAudioMP3 8 maj: Imzot Zhâ dë Mëlâ, themelues i spitalit të parë për gra e për fëmijë të braktisur
Jemi në dimrin e vitit 1363 e në Paris bën shumë ftohtë. Njerëzit dalin pak e aspak nga shtëpitë e grumbullohen rreth vatrës, në pritje të kohëve më të mira. Por shumë nga të varfërit nuk kanë çati mbi kokë, nuk kanë vatër as zjarr, e s’kanë as një pjatë me supë e një copë bukë, që t’i ngrohë sadopak, në ditët e zbadhura nga bora, kur bukuria vret. Shpesh në mëngjes rrugës gjinden njerëz të vdekur gjatë natës. Gjithsesi nuk mungon një vend, ku të varfërit mund të strehohen: është spitali, që në këtë epokë quhet ‘Hoteli i Hyjit’. Emër tepër i përshtatshëm: në fund të fundit spitali është një lloj hoteli, ku të varfërit e të sëmurët pranohen falas në emër të Zotit. Puna është se spitalet janë fort të pakta, në sa të sëmurët, tepër të shumtë: nganjëherë shtrohen katër vetë përnjëherësh në të njëjtin krevat.
Kjo gjendje nuk i pëlqen aspak ipeshkvit të Parisit, Zhâ dë Mëlâ, madje e tmerron. Në mënyrë të veçantë e prek thellë fati i fëmijëve: janë viktimat e para të këtij dimri të pamëshirshëm, nga që kanë shumë më tepër nevojë për kujdes, sesa të rriturit. Tani njerëzit që punojnë në spitale janë aq të zënë me të rriturit, sa nuk kanë fare kohë t’u kushtojnë vëmendjen e duhur edhe fëmijëve. Shpesh për fëmijët që shkojnë në spital, nuk ka asnjë vend të lirë. Atëhere ata rikthehen në rrugën e bardhë, të ngrirë, ku i pret vdekja e sigurtë. Prandaj, në mes të dimrit, Zhâ dë Melâ u bën thirrje gjithë njerëzve vullnetmirë. Duhet krijuar një spital i veçantë për njerëzit më të ligësht, dmth për gratë e për fëmijët. Duhet të shpëtohen sa më shumë që të jetë e mundur. E kjo është detyrë e shenjtë për të krishterët – u kujton të gjithëve ipeshkvi i Parisit. T’u shërbesh njerëzve të ligshtë e të varfër është njëlloj si t’i shërbesh Jezu Krishtit.Në sajë të Zhâ dë Mëlâ hapet spitali i ‘Shpirtit Shenjt’, institucioni i parë shëndetësor për gra e fëmijë të braktisur. Në sajë të njerëzve si ai, në rrjedhë shekujsh numri i spitaleve do të rritej gjithnjë e më shumë. Por të ngresh një spital nuk është shaka: duhet të luash duart, e shumë madje. Duhen gjetur lokale të mëdha, duhen para për të blerë ilaçe, ushqim për të ngrënë e dru për t’u ngrohur, e duhen siguruar edhe njerëzit që do të kujdesen për të sëmurët. Me një fjalë, është gati e pamundur që një punë e tillë të realizohet nga një njeri i vetëm. Por kur je i krishterë i bindur, si Zhâ dë Mëlâ, nuk mendon dy herë. Përvesh mëngët e ia hyn punës. Sepse është çështje jete a vdekjeje për mijëra të sëmurë e të varfër. I krishteri e ka për detyrë t’i shpëtojë vëllezërit nga bukuria e bardhë që vret!







All the contents on this site are copyrighted ©.