2008-05-07 16:49:18

Hapeni zemrën përballë vuajtjeve të Mianmarit: thirrje e Papës në audiencën e përgjithshme, kushtuar thellimit të dialogut ekumenik.


(07.05.2008 RV)RealAudioMP3 Hapeni bujarisht zemrën për të ndihmuar popullin e vuajtur të Mianmarit: është thirrja e fuqishme që bëri Papa nga Sheshi i Shën Pjetrit, gjatë takimit tradicional të së mërkurës me shtegtarët. Benedikti XVI shfrytëzoi rastin e pranisë në audiencë të Katolikosit të Armenëve, Karekinit II, për të përsëritur impenjimin e forcimit të dialogut ekumenik. Në këto ditë, kur ndjehet fort fryma e Rrëshajëve – i ftoi Papa 30 mijë besimtarët që e ndiqnin, ta gjallërojmë besimin në ndihmën e Shpirtit Shenjt, për të vijuar, me hapa të shpejta, rrugën e ekumenizmit.
Bashkësia ndërkombëtare ta shprehë konkretisht bujarinë e vet për popullin e Mianmarit, dëmtuar rëndë nga cikloni ‘Nargis’: nga Sheshi i Shën Pjetrit, mendimi i Papës shkoi tepër larg, në vendin aziatik, ku mbretërojnë vdekja e shkatërrimi. Ati i Shenjtë përsëriti mesazhin e solidaritetit, drejtuar kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Mianmarit, duke ia drejtuar edhe zemrës së çdo njeriu vullnetmirë:
“Bëj timen britmën e dhimbjes, britmë e njerëzve që kërkojnë ndihmë, drejtuar sot botës nga popullsia e Mianmarit, e cila papritmas pa të rrënuara nga forca shkatrrimtare e ciklonit Nargis, jetë të panumërta, pasuri e gjithçka duhet për jetesën e përditshme. Dëshiroj t’i ftoj të gjithë ta hapin zemrën me mëshirë e bujari që, në sajë të bashkëpunimit të atyre që mund e duan të japin ndihmë, të lehtësohen vuajtjet e shkaktuara nga kjo tragjedi e përbindshme”.
Audienca e përgjithshme, e përfunduar me këtë thirrje, u pasurua nga prania e Patrikut Katolik e Katolikosit të të gjithë Armenëve, Karekinit II, të cilin Papa e priti në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, mes duartrokitjeve të fuqishme të besimtarëve. Para audiencës, Karekini II u gjunjëzua tek varri i Gjon Palit II dhe përshëndeti shtatoren e Shën Gregorit Ndriçues, themelues i Kishës armene, vendosur në një nga kamaret e Bazilikës. Benedikti XVI e falënderoi Katolikosin e Armenëve për impenjimin personal në forcimin e miqësisë ndërmjet Kishës apostolike armene e asaj katolike. Më pas kujtoi persekutimet e rënda që pësuan të krishterët armenë, posaçërisht në shekullin e kaluar:
“Armenia’s many martyrs are a sign of the power of the Holy Spirit…
Martirët e shumtë të Armenisë – tha Papa – janë shenjë e forcës së Shpirtit Shenjt, që punon në kohë të errëta dhe është shpresë për të krishterët e të gjitha vendeve e të gjitha kohërave”.
Karekini II kujtoi se armenët mundën ta përballojnë genocidin e të mbijetojnë e, më pas, bëri thirrje që të gjitha kombet ta dënojnë genocidin e së kaluarës e të së tashmes e të impenjohen për sigurimin e paqes.
Pas çastit të përshëndetjeve, në një atmosferë thellësisht të përzemërt, Papa mbajti katekizmin e sotëm. Prania e Karekinit – u tha shtegtarëve – na bën të shpresojmë më gjallërisht në bashkimin e gjithë të krishterëve. Është një vizitë që vjen pas shtegtimit të kardinalit Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit në Armeni - shpjegoi Papa – dhe më pas kujtoi përpjekjet e Kishës apostolike armene për dialogun ekumenik, duke vënë theksin tek kuptimi që ka Solemniteti i Rrëshajve për rrugën ekumenike:
“Ne jemi të sigurtë se Zoti Jezus nuk na braktis kurrë, në sa kërkojmë bashkimin, sepse Shpirti i Tij nuk lodhet s’i mbështeturi përpjekjet tona që synojnë kapërcimin e të gjitha përçarjeve dhe shërimin e çdo plage në trupin e gjallë të Kishës”.
Në ditën e Rrëshajëve – vijoi Ati i Shenjtë – dhurata që Jezusi u pati besuar të tijve natën Pashkëve, ndihma e Shpirtit Shenjt, u bë e dukshme e publike. Që atëherë - tha Benedikti XVI – Kisha është gjithnjë në atmosferën e Rrëshajëve: e mbledhur në Çenakull, lutet papushim për të pasur dhurata gjithnjë të reja, të ndikuara nga Shpirti Shenjt.
“Ja pse, ndonëse përballë vështirësish e përçarjesh, të krishterët nuk mund të heqin dorë e as të çkurajohen. Këtë na kërkon Zoti: të lutemi për ta mbajtur të gjallë flakën e shpresës dhe dëshirën për bashkimin e plotë. Ut unum sint”.
Për virtyt të forcës së Shpirtit Shenjt, Kisha – tha Papa, jashtë tekstit zyrtar – që nga çasti i parë i jetës së saj flet në të gjitha gjuhët, e po për virtyt të Shpirtit të Zotit, jeton në të gjitha kulturat. Kisha nuk shkatërron asgjë nga dhuratat e saj, nga historia e saj, por e përfshin gjithçka në një bashkim të ri, që pajton unitetin me larminë:
“Në ditët pasi Zoti u ngjit në qiell e deri të dielën e Rrëshajëve, nxënësit me Marinë ishin të mbledhur në Çenakull për t’u lutur. Ata e dinin mirë se nuk mund ta krijonin e ta organizonin vetë Kishën; Kisha nuk mund të organizohet, por duhet të lindë; sepse Kisha nuk është krijesa jonë, por është dhuratë e Hyjit. E vetëm kështu krijohet edhe bashkimi e rritet bashkimi”.
Një ftesë të tillë për bashkim Papa e bëri edhe gjatë shtegtimit në SHBA, ku ripohoi se në qendër të lëvizjes ekumenike duhet të jetë gjithjë lutja. Benedikti XVI iu lut Shpirtit Shenjt që të krishterët, në shërbimin e përbashkët e bujar ndaj Ungjillit, të jenë gjithnjë shenjë e dashurisë së Hyjit në botë.
Në këtë audiencë të parë të muajit marian, Benedikti XVI i ftoi të rinjtë, të sëmurët e të sapomartuarit t’ia besojnë veten mbrojtjes së Zojës së Bekuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.