2008-05-07 16:49:08

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(07.05.2008 RV)RealAudioMP3 7 maj: “Zoja e Dhimbshme” – art i dhëmbshurisë
Ç’ do të thotë ‘Zoja e Dhimbshme”?
Është një kompozim tepër i thjeshtë, në pikturë ose në skulpturë, i bukur, e njëkohësisht, tepër i trishtuar. Paraqet dy figura: Jezusin e Nënën e tij, Marinë. Jezusi ka vdekur e sapo e kanë ulur nga kryqi e Maria e pushton në krahë, për t’i dhënë lamtumirën e fundme, para se ta mbyllin në varr. Ja ç’do të thotë ‘Zoja e Dhimbshme’. Në botë ka mijëra kompozime të këtyre dy figurave, sepse kjo skenë tragjike i frymëzoi, posaçërisht në Mesjetë, e vijon t’i frymëzojë ende, piktorët e skulptorët.
Të themi të vërtetën, kjo skenë nuk përshkruhet në Bibël: ungjilltarët tregojnë vetëm se Maria ishte pranë kryqit të Jezusit. Por edhe pse historia nuk ndalohet tek hollësitë, ne mund ta marrim me mend se Maria e shoqëroi të Birin deri në fund të fundit… S’ka asnjë dyshim se kështu duhet të ketë ndodhur.
Në Mesjetë ‘Zoja e Dhimbshme’ ishte një nga figurat që kërkoheshin më shumë nga të krishterët, të cilët e kishin zakon të luteshin vazhdimisht para Saj, sepse u ngjallte ndjenja thellësisht njerëzore.
Të gjithë e kuptojnë vuajtjen e Marisë, në sa e shikojnë të përkulur mbi të Birin, e të gjithë e ndjejnë thellë në shpirt vuajtjen e Nënës Hyjnore, si të ishte vuajtja e tyre. Kjo ikonë u mundëson të krishterëve t’i ndjejnë çastet e tmerrshme që jetoi Jezusi, shumë më tepër se ndonjë fjalim mbi vdekjen e Zotit. Çastet e fundme të jetës së Krishtit quhen‘Mundimet e Zotit’, term që do të thotë ‘vuajtje’. Skalitja ose pikturimi i Zojës së Dhimbshme e ndihmon njeriun, që e shikon, t’i vijë thellësisht keq për Jezusin, të vuajë së bashku me Të (të të vijë keq do të thotë pikërisht të vuash bashkë me…).
Në epoka të ndryshme, të krishterët i tërhoqi herë një çast i jetës së Jezusit e herë një tjetër. Në Mesjetë meshtarët vinin në qendër të vëmendjes pikërisht Mundimet e Krishtit, duke nënvizuar se historia e Jezusit nuk është tregim, që mund ta dëgjosh i çkujdesur, por është historia e vërtetë e Hyjjit që u bë njeri e vuajti për njerëzit: prandaj kjo histori duhet dëgjuar me zemër, duke vuajtur së bashku me Jezusin.
E njeriu që i jetoi me gjithë zemër vuajtjet e Jezusit e që mund t’i ndihmojë të krishterët t’i ndjejnë këto vuajtje, është, pa dyshin, Nëna e Zotit.Prandaj në Mesjetë u kompozuan vazhdimisht ikona të ‘Zojës së Dhimbshme’, duke u kujtuar të gjithëve se para lumnisë dhe ngjalljes së Jezusit, ishin dhimbja e tmerrshme e vuajtja e patregueshme e vdekjes së tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.