2008-05-06 15:20:39

Thirrje e Papës për Mianmarin: bashkësia ndërkombëtare t’i ndihmojë me bujari popullsitë e dëmtuara nga cikloni.


(06.05.2008 RV)RealAudioMP3 Papa i drejton një thirrje urgjente bashkësisë ndërkombëtare, që t’u përgjigjet bujarisht nevojave të popullsisë së Mianmarit, dëmtuar rëndë këto ditë nga një ciklon katastrofik, gjatë të cilit, deri tani, 22 mijë vetë gjetën vdekjen; 30 mijë numrohen të humbur e dhjetra mijëra mbetën pa strehë.
Në një telegram, nënshkruar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, drejtuar kryetarit të ipeshkvijve të ish-Birmanisë, kryeipeshkvit të Mandalei, imzot Paul Zingtung Graung, Benedikti XVI shpreh ngushëllimet tij të thella për pasojat tragjike të ciklonit, që e dëmtoi kaq rëndë popullin e dashur të Minamarit, duke siguruar se i lutet Zotit t’u japë të vdekurve pushimin e pasosur, ndërsa të gjallëve, që vuajnë e kanë mbetur pa strehë, forcë e ngushëllim.

Ndërkaq junta ushtarake në fuqi në Birmani, vendosi ta shtyjë për datën 24 maj, në zonat më të goditura nga cicloni Nargis, referendumin mbi Kushtetutën, që duhet të mbahej të shtunën e ardhshme, Bilanci i katastrofës rëndohet nga ora në orë: vetëm në qytetin Bogalai janë shkatërruar 95% e shtëpive. E pikërisht në këtë zonë flitet për 30 mijë njerëz të humbur. Tani për tani – sipas pohimit të një zëdhënësi të OKB-së - nevojat më urgjente janë sigurimi i strehimit dhe i ujit të pijshëm.
Ndërsa sipas Organizatave jo qeveritare, dëmet e shkaktuara nga cikloni Nargis, mund të konsiderohen edhe më të rënda se ato të cunamit të dhjetorit 2004.







All the contents on this site are copyrighted ©.