2008-05-05 16:48:36

Maji, muaj i Marisë: Papa ia beson Nënës së Hyjit nevojat e Kishës e të mbarë botës.


(05.05.2008 RV)Sipas traditës së lashtë popullore, muaji i majit i kushtohet Marisë. Benedikti XVI ia beson Asaj nevojat e Kishës e të mbarë botës. Maria – pohon Papa – është Nënë e Mësuese për të krishterët e të gjitha kohërave.
E, të shtunën e kaluar, në përfundim të Lutjes mariane, që e kryesoi në bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, Benedikti XVI u shpreh kështu: “Rruzarja Shenjte nuk është praktikë e lidhur me të kaluarën. Lidhet me të gjitha kohërat e sjell paqe e pajtim”. Një numër i madh besimtarësh u mblodhën rreth Atit të Shenjtë në të shtunën e parë të muajit që, sipas traditës, i kushtohet Virgjërës Mari.
Në hyrje të Kishës Atin e Shenjtë e priti ikona e Shën Mërisë ‘Shpëtimi i popullit romak’ e Benedikti XVI e nderoi në heshtje, para se të fillonte Rruzaren, kushtuar pikërisht Nënës së Krishtit, shoqëruar me Misteret e Galdimit, që përshkojnë etapat kryesore të jetës së Krishtit: nga Lajmërimi i Zojës së Bekuar, te episodi i Jezusit në Tempull, ndenjur ndërmjet doktorëve, duke i pyetur e duke u dhënë përgjigje.
Kujtojmë se në mbrëmjen e 31 majit, Papa do të jetë në Sheshin e Shën Pjetrit për kremtimet përfundimtare të muajit marian.







All the contents on this site are copyrighted ©.