4000 të vdekur e mëse 2800 të humbur në Mianmar, pas kalimit të ciklonit Nargis
(05.05.2008 RV)Gati 4000 të vdekur
e mëse 2800 të humbur në Mianmar, pas kalimit të ciklonit Nargis, e akoma nuk janë
të sakta të dhënat që vijnë nga ishujt e deltës së Irrauadit, njëra nga zonat më të
goditura. Qindra mijëra njerëz kanë mbetur pa shtëpi e pa ujë. Ndoshta për herë të
parë, qeveria e ish-Birmanisë mund të kërkojë ndihmën ndërkombëtare. Ministri i jashtëm
është takuar me ambasadorët e huaj në vend. Grupe disidentësh birmanë jashtë atdheut
kanë denoncuar se mjetet në dispozicion në një vend të varfëruar nga 40 vjet diktaturë
ushtarake janë të pakta. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun i ka bërë
thirrje juntës ushtarake të lejojë ndërhyrjen ndërkombëtare. Në vend punon vetëm Kryqi
i Kuq ndërkombëtar, i cili ka filluar shpërndarjen e ushqimeve. Pavarësisht nga gjendja
e vështirë, qeveria ka vendosur të mos e shtyjë referendumin mbi Kushtetutën, që do
të mbahet të shtunën. Mbi gjendjen në Mianmar, të dëgjojmë atë Bernardo Çervelerën,
drejtor i agjensisë AziaNjuz: Gjendja shoqërore është shumë e rëndë. Nuk dihet
mirë nëse, në këtë situatë emergjence, qeveria do të pranojë apo jo ndihmat ndërkombëtare.
Ka pasur raste të tjera të këtij lloji. Kur, disa vjet më parë ndodhi cunami, qeveria
tha se nuk kishte nevojë për ndihmat ndërkombëtare, sepse nuk donte sy të huaj mbi
gjendjen birmane. Gjithashtu, në këto ditë, gjendja është edhe më e tensionuar, sepse
në datën 10 duhet të bëhet referendumi mbi Kushtetutën. Pse bëhet referendumi? Referendumi
duhet të miratojë Kushtetutën birmane që e bën strukturor pushtetin e Juntës. Kërkesa
për Kushtetutën u bë gjatë muajve të kaluar nga i dërguari i OKB-së, Gambari, pikërisht
për të ulur tensionin ndërmjet popullsisë dhe Juntës ushtarake. Në të vërtetë, Junta
ka përgatitur një kushtetutë, në të cilën eliminohet mundësia që Aung San Su Çi të
bëhet presidente e Birmanisë, duke garantuar kështu pushtetin e ushtarakëve. Cila
është gjendja që përjeton popullata në këtë moment? Që para ciklonit, populli
jetonte në një gjendje shumë të rëndë, sepse ka shumë varfëri. Çmimet rriten vazhdimisht
e shpesh mungon ushqimi. Edhe shërbimi shëndetësor praktikisht nuk ekziston. Mirëqënia
është vetëm për Juntën. E, me ciklonin, situata është keqësuar.