2008-05-03 18:33:22

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(04.05.2008 RV)Sot, në të Dielën gjashtë të Pashkëve, Kisha universale kremtoi solemnitetin e të Shëlbuemit.
U përkujtua edhe Shën Antonina martire.

“Kini besim. Unë fitova mbi botën!”: me këto fjalë Zoti vijon t’i porosisë nxënësit e Tij të kenë besim. E, duke u mbështetur pikërisht mbi këtë besim, Pali shkon në Efez, ku nis të flasë lirisht, të pagëzojë në emër të Krishtit e t’i mbushë zemrat e të krishterëve të rinj me Shpirtin Shenjt. Këtë na kujton liturgjia e së hënës, dita kur Kisha kremton festën e Shën Nuncit Sulprici nga Napoli.

Shenjtorët Mariani e Jaku, martirë, që do të përkujtohen të martën, na nxisin të meditojmë për madhështinë e hirit të Hyjit, që i shoqëron në çdo hap nxënësit e Krishtit. Kur i lutet Atit ta lumnojë me ngjitjen në Qiell, Jezusi thekson se lutet për misionin e nxënësve të vet. Prandaj nxënësit e Zotit mund ta kapërcejnë çdo vështirësi e ta vijojnë veprën e Krishtit në botë.

“Pushteti i Hyjit është dashuria”: e ky është edhe reflektimi i së mërkurës, ditëfeste e Shën Flavia Domitilës, martire romake dhe e Shën Rozës Venerini, virgjër, themeluese e Mësueseve të përshpirtshme Venerini, prej kohe me mision edhe në Shqipëri.

Të enjten, Shën Viktori, martir i Milanos, Shën Bonifaci papë, Shën Benedikti papë dhe shën Arseni, diakon romak, me liturgjinë e festës së tyre, na nxisin ta shoqërojmë simbolikisht Shën Palin nga Jeruzalemi në Romë, ku shkon për të dëshmuar Jezusin. Shtegtim sa simbolik, aq edhe real, pas apostullit të popujve, sepse Zoti na fton edhe ne, sot, ta dëshmojmë me të gjitha forcat tona, atje ku jetojmë e punojmë.

Të premten do të përkujtohen Shën Antonini, Shën Pakomi abat dhe Shën Izaia profet. Liturgjia e festës na kujton misionin që Jezusi ia besoi Shën Pjetrit për t’i kullotur qengjat dhe delet e Zotit, duke iu nënshtruar urdhërimit të dashurisë ungjillore. Ky është edhe misioni i secilit nga ne: përhapja e mbretërisë së Zotit në të katër anët e botës.

E shtuna, ditë e festës së Shenjtorëve Jordani martir; Quarti e Quinti, martirë e Jobi, na kujton se njerëzit e drejtë, të mohuar e të martirizuar nga bota, për shkak interesash personale, marrin shpërblimin më të madh që mund të dëshirojë një qenje njerëzore: gëzohen në amshim duke kundruar fytyrën e Zotit.

Të dielën e ardhshme Kisha universale do të kremtojë solemnitetin e Rrëshajëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.