2008-05-03 18:32:52

Emergjenca e ushqimit në botë: koment i Atë Federiko Lombardit.


(04.05.2008 RV)RealAudioMP3 Ndër vendet në rrugë zhvillimi rritet shqetësimi për shkak të thellimit të krizës ushqimore. Rritja e çmimeve po vë në provë të rëndë miliona njerëz, ndërsa priten nisma konkrete nga ana e vendeve të industrializuara. Mbi këtë temë, të ndjekim reflektimin e drejtorit tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardit:
 
“Në vitin 2000, samiti më i madh i krerëve të Shteteve në histori, shpallte solemnisht “Deklaratën e mijëvjeçarit”. Parashtronte kështu, objektivat më urgjente për të mirën e njerëzimit, që duheshin arritur brenda vitit 2015. I pari ishte të përgjysmohej, në këtë periudhë, varfëria e madhe dhe uria. Kaluan më se tetë vjet, e muajt e fundit po vërehet një krizë e rëndë ushqimore në shumë vende, pasojë e ngritjes marramendëse të çmimit të drithërave, kështu që numri i të uriturve e i njerëzve, të cilëve nuk u mjafton ushqimi, po rritet me shpejtësi, duke krijuar rrezikun t’i afrohet miliardit; e kriza nuk duket aspak kalimtare.
Specialistët theksojnë tri shkaqe kryesore: tregun e çoroditur nga subvencionet e vendeve të pasura në fushën e bujqësisë, prodhimin e ri të biokarburanteve, si pasojë e shqetësimeve ambientale; konsumin në rritje të mishit në vende të mëdha si Kina e India. Prej këndej, një pjesë e mirë e prodhimit bujqësor nuk merret më drejtpëdrejtë me drithërat për ushqimin e njerëzve.
Ajo që mungon në botë, nuk është fizikisht ushqimi ose aftësia për ta prodhuar, por vullneti për të zgjidhur problemin më të vështirë: t’i jepet për të ngrënë të varfërve. Gjëra të tjera, shqetësime të tjera zënë vendin e parë: shpenzimet ushtarake, për shembull, vijojnë të rriten. Të tjera janë interesat që udhëheqin lojën e botës sonë, ndonëse Samiti i mijëvjeçarit e caktoi dhe e shpalli drejt objektivin e parë. Por Deklarata është një gjë, e një gjë tjetër është realiteti i vështirë. Tani të presim samitin e ri të Fao-s, për sigurimin ushqimor, në qershor. Një rast tjetër që nuk duhet lënë të ikë, sepse ndërkaq janë tepër të varfërit që vdesin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.