2008-05-02 17:49:57

Papa ipeshkvijve të Kubës: me guxim e bujari, Kisha t’i japë popullit kuban shpresën e Krishtit.


(02.05.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, duke pritur në audiencë ipeshkvijtë e Kubës me rastin e vizitës së tyre ‘ad Limina, Papa u drejtoi një fjalim plot me shpresën e së ardhmes. Benedikti XVI i inkurajoi prelatët t’i kushtohen posaçërisht edukimit të të rinjve, formimit të laikatit, mbrojtjes së vlerave të familjes e të martesës. Kërkoi edhe që zëri i katolikëve të ndjehet më shumë në mjetet e komunikimit dhe të sigurohet një numër i mjaftueshëm vendesh kulti për kërkesat baritore të Kishës katolike.
Në këtë çast të historisë, Kisha e Kubës është e thirrur “ t’i japë shoqërisë kubane të vetmen shpresë të vërtetë: Krishtin, Zotin tonë” – tha Benedikti XVI, duke theksuar se pikërisht falë kësaj shprese, besimtarët kubanë vijuan të ecin pa u lëkundur në rrugën e fesë e të dashurisë. Prandaj – porositi Papa - jeta shpirtërore duhet të zërë vendin e parë në të gjitha planet baritore.
Si kujtoi afërsinë shpirtërore me Kishën e Kubës dhe lidhjet e ngushta të ipeshkvijve kubanë me Selinë Apostolike, Ati i Shenjtë ceku edhe shtegtimin e fundit të kardinalit Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit në Ishullin karaibik, duke vënë theksin mbi gjallërinë e Kishës në Kubë:
“La vida eclesial cubana ha experimentado un cambio profondo…”
Jeta kishtare kubane – tha Papa – bëri një ndryshim të thellë posaçërisht me vizitën historike të Gjon Palit II, dhjetë vjet më parë. Me gjithë vështirësitë e kufizimet, u thellua puna baritore, gjë që ndikoi fuqimisht në përforcimin e frymës misionare në të gjitha bashkësitë kishtare kubane. E këto fjalë të Benediktit XVI, u pasuan nga ftesa për të bërë që drita e Krishtit të ndrisë në të gjitha fushat e shoqërisë:
“Uno de los objetivos prioritarios del Plan de Pastoral…”
Papa kujtoi se një nga përparësitë e programit të punës baritore, hartuar nga ipeshkvijtë, është vlerësimi i laikatit të vetëdijshën për detyrën dhe misionin në Kishë e në botë. Më pas i porositi ipeshkvijtë që, me ndihmën e katekistëve të mirëpërgatitur, të punojnë për edukimin fetar në të gjitha nivelet. E kjo, sepse laikët mund ta çojnë dritën e Krishtit edhe në skajet më të fshehta të jetës shoqërore të vendit.
Papa kujtoi edhe shtimin e thirrjeve për rrugën meshtarake, si burim kryesor i shpresës për Kishën; porositi të thellohet puna për përgatitjen e seminaristëve e, sidomos, puna baritore me e për familjen.
“Sé cuánto les preocupa la situación de la familia...”
Benedikti XVI vuri në dukje shqetësimet kryesore të ipeshkvijve kubanë lidhur me familjen, e cila kërcënohet nga divorci e pasojat e tij, nga ndarjet familjare për shkak të emigracionit e nga shkaqe të tjera. Pastaj, porosia për t’i edukuar të rinjtë me vlerat e familjes.
“He podido comprobar con gozo la generosidad...”
Shikoj me gëzim – tha në përfundim Ati i Shenjtë, duke vlerësuar lart punën e rregulltarëve e të rregulltareve – bujarinë me të cilën Kisha i kushtohet shërbimit të të varfërve e të të braktisurve, duke merituar kështu mirënjohjen e mbarë popullit kuban. E uroj – shtoi akoma Papa – që lumnimi i afërt i Shërbëtorit të Hyjit, Atë Hosè Olalo Valdés, t’u japë ipeshkvijve një nxitje të re për të qenë gjithnjë tharm i pajtimit, i drejtësisë e paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.