2008-05-02 18:06:49

Kuarteti për Lindjen e Mesme, vendeve arabe: mbani premtimet financiare


(02.05.2008 RV)Kuarteti për Lindjen e Mesme u ka bërë sot thirrje vendeve arabe që të mbajnë premtimet në fushën financiare për t’i bërë ballë krizës palestineze. Sipas burimeve amerikane, është paguar vetëm një e pesta e ndihmave të premtuara në konferencën e donatorëve, që u mbajt në dhjetor në Paris. 153 milion dollarë nga 717 të premtuarit janë derdhur vetëm nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Algjeria. Sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs paralajmëroi si izraelitët, ashtu edhe palestinezët se duhet të vendosin sa më shpejt se ku duhet të kalojë kufiri ndërmjet dy shteteve, pasi dritarja përmes së cilës sponsorizohet kjo zgjidhje nuk do të mbetet gjithnjë e hapur. Ajo i tërhoqi vëmendjen Tel Avivit duke thënë se ngulimet hebraike nuk mund të konsiderohen si fakt i kryer, kur të vijë puna për ndarjen e territoreve.







All the contents on this site are copyrighted ©.